Transmetuar më 24-11-2020, 19:02

Shqipëria ende nuk e ka arritur, por është në prag të pikut të valës.

Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini tha se edhe për afro një muaj numrat e të infektuarve do të pësojnë rritje edhe më shumë.

“Aktualisht sipas projeksioneve jemi gati në pikun e valës, themi që edhe në tre katër javët në vijim presim trend të rritur të rasteve me COVID”.

Tomini tha se kryeqyteti mbetet më problematik.

“Kemi rritje të rasteve dhe transmetim komunitar. Transmetimi komunitar është e dendur e gjithë harta e Tiranës është e kuqe”.

Sipas saj, mbi 70 % e vatrave janë familjare, por nën vëzhgim po mbahen edhe shkollat. “77% janë vatra familjare, pjesa tjetër institucione, por  edhe në klasa në struktura arsimtare në sistemin parauniversitar”.

E pyetur nëse shihet me shqetësim situata në transportin publik, Tomini rekomandon të shmanget sa më shumë ky shërbim.

“Transporti publik , baret kafet dhe restorantet duhet të evitohen. Transportin publik do ju rekomandoja popullatës ta evitonte. Është një ndër shërbimet që është në qendër të vëmendjes për t’u vlerësuar dhe monitorimi në të njëjtën mënyre si strukturat arsimore dhe shërbimit urbane po shihen në dinamik në krahasim me evidencën dhe do kemi edhe  një vendimmarrje”, tha Tomini për Klan.

Prej afro dy muajsh, Shqipëria po shënon shifra të larta të të infektuarve dhe atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Autoritetet kanë rekomanduar respektim të masave për të evituar nj mbyllje t dytë për vendin.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë kryer 2.505 testime, prej të cilave kanë rezultuar pozitivë 744 qytetarë.

Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 455 pacientë, 21 në terapi intensive, 7 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 19 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në 3 spitalet COVID./a.m/NOA.al