Transmetuar më 24-11-2020, 18:39

Halil Sinani nga Kukësi me vendbanim në Tiranë është i martuar prej 5 vitesh, për herë të dytë.

Nga martesa e dytë kanë ardhur në jetë 2 fëmijë, njëri 2 vjeç dhe tjetri 4 vjeç. Martesa e tij është bërë me shkuesi. Ai dhe bashkëshortja e tij Shkurta shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, por Halil Sinani thotë se ka raporte jo shumë të mira me babain e tij.

Halili ka treguar se në familje ka patur debate të shumta, ku sipas tij, i ati e ka dhunuar edhe atë, edhe nusen e tij si psikologjikisht ashtu edhe fizikisht. Tashmë ata jetojnë prej 4 muajsh me qera.

Familja e tij e re ka marrë madje edhe urdhër mbrojtje në gjykatë për dhunë në familje.

Ai rrëfeu në studion e “Historia ime” në Tv Klan historinë e tij, ku tha se nga Kukësi, – “kemi ardhur që në vitin 2001. Kam ardhur së bashku me familjen dhe unë isha në moshën 12 vjeç. Historia ime është shumë prekëse dhe e gjatë sepse unë jam martuar dy herë dhe kjo është nusja e dytë që kam. U martova për herë të parë në 2010. Nga ajo martesë lindi djali pas një viti dhe problemi i ndarjes ishin prindërit”.

Me djalin e madh që ka nga martesa e parë ai thotë se ka disa kohë që nuk takohet.

“Unë jam ndarë në 2015 me gruan e parë. Djali ishte 3 vjeç. U ndamë në një mënyrë shumë tragjike dhe u martova sërish me dakortësinë e babës”.

Për martesën e dytë me Shkurtën ai tha se u martua më 6 Korrik të 2015-ës.

“Atë ditë kur shkova të marr nusen Shkurtën tek shtëpia e prindërve të saj, unë kam patur një histori tragjike si të ishte filmi Ertugrulit që e jep përditë në Tv Klan nga plaku im. Ka ardhur policia sepse mua po më ndiqte me sëpatë”. Ai bëri edhe një krahasim me Ertogrul, në një serial televiziv.

“Nuk e di arsyen, kanë qenë xhaxhallarë, miq, njerëz të afërt dhe ata kanë këmbëngulur të lënë dasmën, por fatmirësisht burri i hallës sime dhe xhaxhai im këmbëngulën që unë të mos bëhem karagjos se nusja po priste. Plaku donte të më priste me sëpatë. Policia ka ardhur, e kanë parë vendin e ngjarjes, ai u zhduk dhe nuk morën asnjë masë për të”, tha në rrëfimin e tij tronditëse Halil Sinani.

Ai u shpreh se në familjen e prindërve ka dy motra, njëra është e sëmurë me të meta mendore dhe tjetra është e martuar në Kosovë. Halil Sinani akuzoi të atin se ka ushtruar dhunë edhe ndaj tyre./a.m/NOA.al