Transmetuar më 24-11-2020, 13:12

Situata e pandemisë është serioze dhe agresiviteti i virusit COVID-19 nuk është zbutur pasi jemi ende larg imunitetit të tufës.

I ftuar në Spotlight, nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, mjeku i njohur imunolog, Genc Sulçebe, është shprehur se lufta kundër Covid tashmë nuk mund të bëhet në spitale.

Këshilla e tij qëndron në parandalimin e infeksionit, sa kohë që ne e dimë se si mund ta marrim.

“Kapacitetet reale pritëse të shtretërve Covid a janë realisht për të përballuar këtë fluks të pritshëm, apo jo, në qoftë se nuk janë si mund të ngrihen, këta skenarë të ndryshme si janë parashikuar?

Në radhë të parë duhet të kthehemi mbrapsht, të mendojmë se si të parandalojmë infeksionin.

Flasim për tu shtruar në spital, por gjëja kryesore është, dhe kjo i duhet sqaruar popullatës, që kjo epidemi nuk zgjidhet në spital, nuk zgjidhet me oksigjen. Zgjidhet me parandalim, sepse është një infeksion të cilin ne e dimë se si merret.”

Sulçebe thotë se kryeqyteti tashmë është ende larg arritjes së imunitetit të tufës. Sipas tij, sot, Tirana mbërrin deri në 20-25% dhe për të mbërritur një imunitet tufe, do të duhet të ishte rreth 50%.

“Jemi shumë larg. Tirana tani duhet të jetë afër 20-25%. Ne tek Akademia e Shkencave do të organizojmë një fazë studimore për të parë si është realisht gjendja, por jemi akoma larg imunitetit të tufës. Imuniteti i tufës duhet të kapë rreth 50% të popullatës.”

Më tej, mjeku i njohur shtoi se imuniteti i tufës mund të arrihet me vaksinën dhe jo përmes imunizimit natyral.

“Nuk mund të pretendojmë që imuniteti i tufës të arrihet përmes imunizimit natyral, por duhet ta arrijmë nëpërmjet vaksinimit, për arsye se me imunizim natyral mund të kemi shumë humbje. Duhet të mendojmë të parandalojmë infeksionin, që të kemi forcë deri në realizimin e vaksinës.”