Transmetuar më 23-11-2020, 22:31

Maqedonia e Veriut, ashtu si Shqipëria, po përballet jo vetem me shifra gjithë e në rritje të të infektuarve me COVID dhe shtim të viktimave, por edhe me mungesën e shtretërve për të sëmurët.

Nisur nga kjo situatë, qeveria në Shkup njoftoi sot se ka vendosur të vërë në dispozicion të të sëmurëve me Covid-19, shtretërit e spitaleve më të mëdha private në Maqedoninë e Veriut.

Këtë të hënë ministri i Shëndetësisë Venko Filpçe tha se janë 3 spitale private të cilët tani e tutje do të trajtojnë të sëmurë me COVID. Disa nga spitalet private kundërshtuan vendimin e qeverisë për t’i kthyer pavijonët e tyre në reparte për të infektuarit me COVID.

Por qeveria u tregua e vendosur dhe tani e tutje, ata do të kurojnë pa asnjë kosto për pacientët, të sëmurët me Covid.

Në këtë pikë, lind pyetja, përse në Shqipëri, qeveria po i lë kaq jashtë spitalet private të cilat ndoshta mund të jenë humane dhe të kenë dëshirë të kontribuojnë në këtë pandemi? Përse ka kaq shumë sforcim nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe shefi i saj Edi Rama, që të hapin spitale të reja me jo më shumë se 100 shtretër, kur rasti i Maqedonisë është i qartë?

Spitalet më të mëdha private janë Spitali Amerikan me 4 spitale vetëm në Tiranë, përfshirë Hygeia, Salus, Kontinental, Gjerman, Zoja e Këshillit të Mirë, etj.

NOA.al ka mësuar se disa prej këtyre spitaleve dhe mjekët e tyre, po trajtojnë të sëmurë me Covid, kundrejt pagesave të kripura.

Nëse qeveria do të vepronte si në Maqedoni, të sëmurët nuk do të detyroheshin të paguanin spitalet private në Shqipëri dhe shfrytëzimi i kapaciteteve të shumta të privatëve do të ndikonte ndjeshëm në uljen e vdekshmërisë dhe do t’i jepte fund kalvarit të javëve të fundit të autoambulancave që rrijnë me orë të tëra në oborret e spitaleve Covid, në pritje që të lirohet një krevat, herë duke vdekur dikush e herë duke u nxjerrë i shëruar një tjetër. /a.b/noa.al/