Transmetuar më 23-11-2020, 20:20

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vendosi që  pika kufitare e Kakavijës të mbyllet nga dita e nesërme në orën 07:00 deri në orën 07:00 të datës 25 Nëntor.

Arsyeja e këtij vendimi është protesta që do të zhvillohet nesër nga punonjësit e doganës greke.

Të vetmit që përjashtohen janë udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore, që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton të gjithë qytetarët dhe bizneset që kryejnë aktivitet import-eksport nëpërmjet pikës doganore Kakavijë, se do të jetë e mbyllur për 24 orë.

Autoritetet e Policisë greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kakavijë, sqarojnë se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës, duke filluar nga dita e nesërme, datë 24 nëntor, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 25 nëntor.

Sqarojmë se gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Sipas njoftimit të palës greke, përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.

Dogana Shqiptare do të jetë në komunikim të vazhdueshëm për të informuar publikun dhe biznesin./a.m/NOA.al