Dyert e shkollave mbeten të hapura mes “furtunës” së Covid-19 dhe mësimit joefektiv
Transmetuar më 23-11-2020, 18:39

Ndërsa Universitetet do vijojnë mësimin online,  nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe ato të mesme po frekuentojnë ende bankat e shkollave.

Si duket situata nuk paraqitet ende serioze, sikurse arsyet janë të paqarta.

Nëse Universitetet janë të rrezikshme, përse shkollat nuk janë?

Shkollat janë ende të hapura dhe raste të shumta raportohen çdo ditë, teksa masat nga ana e Ministrisë së Arsimit janë të papërfillshme.

Kjo e fundit nuk jep shifra të sakta lidhur me numrin e saktë të shkollave që janë mbyllur nga Covid-19, mësuesve apo nxënësve të infektuar, por mediat raportojnë çdo ditë raste të reja.

Nuk do mend për t’u kuptuar se shkollat prej muajsh janë kthyer në vatra infektimi.

Në fund të muajit tetor Ministria e Arsimit ka konfirmuar se në Kavajë shkolla “Blerimaj” me 44 nxënës dhe 9 mësues është mbyllur që nga data 22 tetor, dhe mësimi vijon të zhvillohet online.

Në Tiranë në shkollën “Fan Noli”, një grup i një klase me 17 nxënës, është mbyllur dhe vazhdon mësimin online.

Në Kukës shkolla 9-vjeçare “Mersin Bresa” e përbërë nga 41 nxënës dhe 6 mësues është mbyllur në 20 tetor.

Në datën 23 tetor mësimi është zhvilluar normalisht.

Në Përmet në shkollën 9 vjeçare “Stefan Zhaka”, vartëse e SHMB “1 Maji” një klasë kolektive  (I-IV-V) zhvillon mësimet onlinë për shkak se 11 nxënësve u është marrë tamponi dhe janë karantinuar nga data 26 nëntor.

Në Korçë është mbyllur vetëm ditën e mërkure me 28 tetor, shkolla “Sotir Gurra”  pasi u bë dezinfektimi i saj.

Në Pogradec kopshti “Persefoni Treni” është mbyllur nga data 28 tetor deri me 10 nëntor, për arsye se nga tamponët e kryer nga 16 edukatorë, 8 rezultuan pozitivë me covid-19.

Ndërkohë të dhënat e tre ditë më parë tregonin se nga 706 fëmijë të prekur në të gjithë vendin, 140 janë aktualisht të sëmurë aktivë, ndërsa mësues janë më shumë. 200 arsimtarë janë të infektuar ose në izolim si raste kontakti.

Nxënës dhe mësues konfirmojnë faktin se në shkollat e tyre ka nxënës dhe mësues të infektuar,  por të dhënat nuk janë bërë transparente.

Sa efektiv është mësimi në shkolla?

Nëse shkollat e arsimit të ulët dhe të mesëm po mbahen hapur për shkak se prindërit votuan kështu në sondazhin e qeverisë, pasi mësimi online rezultoi joefektiv, pyetja që duhet të ngrihet në këtë rast është se sa efektiv është mësimi në shkolla?

Nuk duhet të harrojmë faktin se mësimi po zhvillohet me turne prej nisjes së këtij viti shkollor dhe nxënësit nuk kalojnë më shumë se 1-2 orë për arsimin e ulët në shkollë, 2-3 orë gjimnazet. Sa njohuri mund të përfitohen në këto kaq orë?

Sepse në këtë rast kemi dy probleme madhore: I pari është fakti se shkollat po rrezikojnë të gjithë qytetarët duke u kthyer ne burim infeksioni dhe i dyti është fakti se kjo metodë mësimdhënie nuk është në shërbim të tyre, pavarësisht se po sakrifikohen për të.

Qeveria vendosi që ky vit i ri shkollor të alternohet me disa orë nëpër klasa dhe më pas me disa leksione nga shtëpitë e tyre nëpërmjet RTSH Shkollës. Jo më larg se javën e kaluar pamë se si mësimi përmes RTSH Shkollës, është në një performancë të dobët, jokronologjike dhe joefektive.

Kjo gjë vjen pasi shpesh mësuesit të cilët japin lëndët në bazë të planprogramit,  të caktuar në oraret përkatëse, janë shpesh të pakualifikuar dhe të papërshtatshëm në transmetimin e mësimit nëpërmjet kësaj metode të re të përshtatur nga situata e pandemisë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, qeveria ka vendosur të japë 30 milionë lekë për RTSH-në vitin që vjen, ndërsa vlen të përmendet këtu se ky fond është vetëm një pjesë e përfitimit. Theksojmë se përveç taksës së përhershme që familjet shqiptare paguajnë për RTSH-në, këtë vit taksapaguesit do të paguajnë dhe disa shpenzime shtesë.

Vështirësitë do të jenë më të mëdha kur nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm t’i drejtohen kësaj rruge. Kujtojmë se ishte një sondazh online drejtuar prindërve ai që bëri që qeveria të rikthejë në bankat e shkollës nxënësit, ndërkohë nuk është punuar me infrastrukturën e mësimit online.

Por, cilat janë disa nga problemet që do hasin nxënësit nëse do i drejtohen platformave online?

Së pari, mangësi në njohuri dixhitale

Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, 64 për qind e të rinjve nga mosha 16 deri në 24 vjeç në Maqedoninë e Veriut, disponojnë aftësi dixhitale nga 80 % që është shifra në vendet e BE-së.

Pandemia ka nxjerrë në pah rëndësinë e përdorimit të teknologjisë, sa i përket procesit edukativo-arsimor, por mangësitë që janë vënë re në Shqipëri gjatë karantinës, e bëjnë mësimin online më pak të pëlqyer. Shumë prindër janë ankuar se nuk kanë aftësi teknologjike mjaftueshëm për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve.

Së dyti, mësimi online nuk është i arritshëm në të gjithë vendin

Mangësi të natyrave teknike janë regjistruar kryesisht në zonat rurale, por edhe tek familje të shumta në nevojë të cilat nuk kanë akses në internet, apo që nuk kanë mjetet e nevojshme si celularë dhe kompjuter.

Pikërisht, të zhgënjyer nga mungesa e internetit falas, programeve që mundësojnë gjithëpërfshirjen, angazhimin e mësuesve dhe leksioneve aspak aktive, shumë nxënës, prindër e mësues në Shqipëri, zgjodhën alternativën e hapjes së shkollave në shtator, edhe përkundrejt rrezikut për përhapjen e infeksioneve.

Maqedonia e Veriu vendosi disa muaj më parë që familjet që marrin ndihma sociale do të furnizohen me internet mobile prej 10 GB në muaj, me qëllim që  nxënësit të ndjekin mësimin online. Me këtë veprim, këtyre nxënësve do t’u sigurohet qasje në platformat për të ndjekur me sukses vitin shkollor përmes mësimit në distancë.

Smartphone dhe internet falas për nxënësit në Shqipëri

Nxënësve duhet t’u krijohet mundësia që t’u jepen falas tabletat apo smartphone-t si dhe interneti cilësor që në shtëpi të zhvillojnë aftësitë në shkencë e teknologji. Në të kundërt mësimi i programimit që në klasë të parë fillore do të jenë të cunguara.

Prej vitesh, nxënësit, mësuesit dhe prindërit në Shqipëri, janë gënjyer me pretendimet se teknologjia do të ishte pjesë e mësimdhënies duke harxhuar miliona euro për klasat inteligjente dhe një duzinë burimesh financiare për Reformën Kurrikulare.

Por, teksa qeveria po humb kohë me mësimin në shkolla për të plotësuar dëshirat e disa grupeve të ndryshme, mund të kishte punuar në këto aspekte në mënyrë që mos të përsëritej skenari i periudhës mars-maj, ku qindra nxënës nuk patën mundësi të ndjekin mësimin online.

/S. H   /NOA.al