Transmetuar më 23-11-2020, 14:26

Qyteti i Sarandës u trondit 7 muaj më parë nga historia e një adoleshenteje 17-vjeçare, e cila akuzonte mikun e familjes së saj, Bajram Tusha (73 vjeç) se kishte abuzuar seksualisht me të.

Situata ka më shumë dritëhije, pasi vajza ka kërkuar urdhër mbrojtje nga prindërit e saj që i ka akuzuar gjithashtu së bashku me 3 komshi për dhunë ndaj saj dhe shfrytëzim.

Prindërit e vajzës, Vullnet dhe Edlira Bekteshi, hedhin akuza për të dashurin e vajzës, Gentian Ruçi. Ata mendojnë se 34-vjeçari, që është i lidhur me vajzën, e ka droguar me gjilpëra dhe e mban nën kontroll.

Nga ana tjetër, Bajram Tusha ka dalë nga burgu dhe qëndron në "arrest shtëpie". Ai është kthyer në banesën e tij dhe nuk i pranon akuzat për përdhunim. Ajo që bie në sy, është se Bajrami dhe prindërit e vajzës kanë sërish marrëdhënie pozitive mes tyre.

Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Tusha pohon se nuk e ka përdhunuar vajzën dhe se ka qëndruar me të, vetëm në praninë e babait të saj.

“E kam ndihmuar atë familje me çfarë kam mundur. Që në 2010 i njoh, nuk kam patur hyrje-dalje që në fillim. Vajza më ka ndihmuar me punët e shtëpisë, kur ka qenë babai dhe vëllai i saj në prani”, tha Barjami.

Ky i fundit shtoi se vajza iu kishte thënë se po njihte një djalë, dhe ai e babai i saj, i kishin thënë që ta njihnin edhe ata.

“Vajza solli djalin, e na tha se ishte nga Tepelena, polic. ‘E do vajzën’, i thashë. “Vdes për të”, thanë të dy, e përqafoheshin para nesh. Ata kishin kohë që drogoheshin, mesa kuptova unë. E mori 3-5 netë dhe pastaj e mori dhe s’e solli më. Kur e merrnim në telefon thoshin se jemi në Gjirokastër, jo andej. Ju thashë se ata po na mashtrojnë. Kur i thamë se do të merrnim policinë në telefon, ai e solli vajzën. Por donte të vinte në darkë që ta merrte, se do e çonte për prostitutë në Itali”, rrëfeu Tusha.

73-vjeçari shton se një natë kur po ruante vajzën në shtëpi, ajo donte që të ikte me të dashurin dhe i ka thënë, “është jeta ime, nuk pyes as ty dhe babain”.

“Do marr 10 milionë lekë nga Gentian Ruçi që t’ju fus juve në burg. Mua s’më shkonte në mendje se ajo fliste me të vërtetë. Kur erdhi babai i saj, ajo nisi duke bërtitur, më përdhunojnë babi me Bajramin. Policia nuk vinte. Djali gjuante me gurë, mua më kapi në kokë. Unë gjuajta pastaj me çifte në ajër. Për ta trembur thashë do të gjuaj këmbëve dhe u largua menjëherë", – kujton 73-vjeçari për konfliktin me të dashurin e vajzës.

Ndërkohë, Bajram Tusha është liruar nga paraburgimi pak ditë më parë, edhe pse akuzohet se ka përdhunuar 17-vjeçaren.  Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masën e sigurisë për të, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Tusha akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur. Ai kishte kërkuar zëvendësim të masës së sigurisë edhe në muajin korrik, por kjo kërkesë nuk i ishte pranuar.

Rasti i  rëndë u raportua disa muaj më parë në Sarandë, ku një vajzë e mitur akuzoi Tushën se ka abuzuar me të vazhdimisht.