Datë historike, më 11 dhjetor nis marrja e vaksinës nga qytetarët
Transmetuar më 23-11-2020, 13:35

Një vaksinë e Covid-19 në horizont. Amerikanët e parë do të fillojnë të vaksinohen që më 11 dhjetor, siç bëri të ditur shkencëtari dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Moncef Slaoui.

“Pritshmëritë e mia janë se vaksina do të jetë po aq e sigurt sa edhe vaksinat e tjera që po përdoren në popullatë”, tha Slaoui.

Eksperti që po drejton operacionin e imunizimit tha se komiteti këshillues për vaksinën në agjencinë për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, pritet të takohet më 10 dhjetor.

Nëse ai do të autorizojë përdorimin emergjent të vaksinës Pfizer, ajo do të dalë 1 ditë më vonë:

“Plani ynë është të shpërndajmë vaksinat në qendrat e imunizimit, 24 orë pas aprovimit, në 11 dhjetor”.

Parashikohet që 20 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara të mund të vaksinohen deri në fund të vitit 2020.

Ekspertët thonë se punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore do të jenë të parët që do të vaksinohen. Fëmijët mund të vaksinohen nga mesi i vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, agjencia për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve autorizoi përdorimin e koktejit të antrupave të Regeneron, i cili mendohet se ndihmoi në shërimin e presidentit Donald Trump.

Megjithatë, pavarësisht lajmeve inkurajuese, ekspertët paralajmërojnë se infektimet dhe vdekjet nga Covid-19 do të rriten pas festës së Falënderimeve.