Tmerr në Nju Jork, 650 kufoma nga Covidi ende në kamionë frigoriferikë (Foto)
Transmetuar më 23-11-2020, 07:52

Nju Jorku është në ankth nga hipoteza e një vale të dytë të Covid-19. Shkollat ​​janë mbyllur dhe kufizimet e reja po shfaqen në horizont. Ndërkohë, "Big Apple" ende po merret me valën e parë të pandemisë të pranverës së kaluar. Rreth 650 kufoma njerëzish që kanë vdekur nga virusi në të kaluarën ndodhen ende të vendosur në kamionë frigoriferikë në bregun e lumit në Brooklyn.

Trupat u përkasin njerëzve, për të cilët familjet nuk mund të gjurmohen ose njerëzve që nuk mund të përballonin varrimin. Kamionët në frigoriferë u vendosën si një morg emergjence gjatë kulmit të pandemisë dhe autoritetet kanë punuar që prej asaj kohe për të gjetur dhe ndihmuar familjet e viktimave.

Zbulimi rreth trupave që ende nuk kanë një varr, ka ndodhur në një kohë që qyteti është në ankthin  e një vale të dytë. Kryebashkiaku Bill de Blasio ka urdhëruar mbylljen e shkollave publike dhe nuk përjashtohet që kufizime të tjera së shpejti mund të shkaktohen në një përpjekje për të përmbajtur virusin.

Në fakt, pandemia në Shtetet e Bashkuara ka regjistruar më shumë se 110,000 raste në ditë në muajin e fundit, me kulmin deri në 200,000 raste. Ndërsa numri i vdekjeve ka shkuar mbi 256 mijë persona që nga nisja e saj në dimrin e shkuar.

Situata është veçanërisht serioze edhe në El Paso, Texas, ku kryebashkiaku Dee Margo kërkoi dhe mori ndërhyrjen e Gardës Kombëtare për të ndihmuar morgjet e qarkut të mbingarkuara nga numri i lartë i  vdekjeve nga Covid.

Ndërkohë, kufizimet kanë hyrë në fuqi në pothuajse të gjitha shtetet e SHBA-së përpara Ditës së Falënderimeve, e cila bie të enjten e fundit të nëntorit. Shpresa për ta përballuar këtë situatë, ka të bëjë me një vaksinë të mundshme së shpejti.

Pfizer dhe BioNTech i kanë paraqitur administratës së Ushqimit dhe Barnave kërkesën për një autorizim urgjent të vaksinës së tyre dhe sipas Moncef Slaoui, kreu i Operacionit Warp Speed, vaksinimet mund të fillojnë tashmë në mes të dhjetorit. /e.a/noa.al/