Transmetuar më 22-11-2020, 15:09

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, është përkulur në arkivolin e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, në ceremoninë e mbajtur sot në Beograd.

Këtë herë, ndryshe nga ceremonia e Amfilohijes, kreut tjetër të Kishës Ordodokse Serbe, në Mal të Zi, që humbi jetën po nga Covid 19, u zbatuan përgjithësisht protokollet anti-Covid.

Por sërish në nderimin e tij, Vuçiç e hoqi maskën dhe kjo pamje u transmetua në të gjithë mediat në vend. Irinej u infektua nga Covid, pasi drejtoi meshën për nder të Amfilohijes, kreut të Kishës serbe në Mal të Zi që gjithashtu humbi jetën nga koronavirusi.

Nga ajo ceremoni e Podgoricës, dyshohet se janë infektuar një numër i madh banorësh. Një nga editorialistët e mediave në Podgoricë, bëri thirrje që kryeministri i mandatuar, Zdravko Krivokapiç, i cili ishte pa maskë dhe ushqeu ndjekësit e tij të bënin të njëjtën gjë në Mal të Zi, të ndiqet penalisht për “terrorizëm”.

Vuçiç arriti në tempullin e Shën Savës me kreun e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili në mesazhin e tij, e konsideroi Irinejin si njeriun që bashkoi serbët.

Dodik deklaroi se Republika Srpska, ka qarë ose është gëzuar në 11 vitet e fundit së bashku me Patriarkun Irinej.

Patriarku Irinej vdiq më 20 nëntor si pasojë e komplikimeve nga Covid-19. Ndërkohë, peshkopi serb Teodosije, zbuloi se amaneti i fundit i tij ishte pikërisht Kosova. Në momentet e  fundit të jetës, Patriarku serb kishte kërkuar që të mos hiqet dorë nga Kosova. /e.a/noa.al/