Transmetuar më 22-11-2020, 00:14

Rimbursim?

Sot vendosa të shkruaj pak mbi çështjen e rimbursimit të barnave. Me pak fjalë, do të bëj një analizë të shkurtër sa i kushton një individi "të sëmuret" me Covid-19, gjykojeni vetë më pas çështjen e rimbursimit.

Të gjithë ne që kemi një familjar pensionist, e dimë që medikamentet e rimbursueshme janë ato me çmimin më të ulët, e sipas logjikës ekonomike dhe cilësinë më të ulët.

Pensionisti që ka një fëmijë në punë, apo dikë që e ndihmon financiarisht asnjëherë nuk i merr këto medikamente dhe drejtohet drejt medikamenteve më cilësore.

Do thoni është çështje dëshire… JO është e drejtë për të ruajtur shëndetin, jo për ta shkatërruar më tej.

Por ç’ndodh sot, në kulmin e pandemisë po trumbetohet që barnat do rimbursohen sipas rasteve deri në X lekë, ndërkohë mjeku i familjes nuk ka asnjë udhëzim si do funksionojë kjo proçedurë.

Por teksa shpresojmë se shkresurinat do të vijnë shpejt, ç’ndodh aktualisht, të bëjmë një kosto të vogël:

Një paketë analizash në privat, pasi në shtet nuk i bën dot kushton 1900 lekë, D Dimmer – PCR 3300 lekë (nga 400 lekë D-dimmer shkoi 2500 lekë e askush nuk i kontrollon çmimet)

E dimë që tamponi bëhet ditët e para, sa pa “zbritur virusi në mushkëri". E nëse lajmëron por askush nuk vjen, atëherë je i detyruar ta bësh në privat, ja ku u shtua dhe një 10000 lekësh tjetër.

Sipas protokollit mjekësor që shpesh po dëgjojmë nëpër emisione, nga mjekë të dëgjuar; fillimisht bëhet kurimi me paracetamolë e vitamina e nëse temperatura vijon do të fillohen antibiotikë nga goja.

Azitrimicinë, Vitaminë B1, B6, C, Vitaminë D 1000 mg. Që, po të shkojmë në farmaci e të shikojmë çmimet e kurës për 6 ditë, i shtojmë shpenzimeve dhe 2100 lekë të tjera.

Por do të marrësh dhe një oksimetër, pasi matja e oksigjenit është thelbësore për këtë flamë virus, ku sipas markave kushton (2500-3500 lekë).

Pas 8-9 ditëve, nëse s’ke përmirësime do të duhet të bësh një skaner. Për të marrë radhën sipas sistemit tonë të referimit, do të duhet ta bësh skanerin në rastin më të mirë të mundshëm pas 2 muajsh, por shëndeti nuk pret…

E ti drejtohesh sërisht tek privati, jo për dëshirë ë, por i detyruar. Një skaner kushton të paktën 19000 lekë (nga 14000 që kish kushtuar para disa muajsh), dhe prapë asnjë organizëm shtetëror nuk i kontrollon çmimet.

E kështu vijon kalvari i sëmundjes, do kalosh nga kokrrat tek gjilpërat, në kombinime me nga 2 antibiotikë në ditë, hollues gjaku, vitamina, kosto e të cilave shkon 4500-5000 lekë / ditë.

Do ribëhen analizat për të përcaktuar ecurinë e mjekimit dhe kostot shtohen e shtohen.

Mos e thëntë Zoti t’ia transmetosh një familjari tjetër! Një sëmundje e panjohur që zgjat thonë. Sa zgjat, askush s’të jep përgjigje.

Ia kuptoj lodhjen dhe i jam mirënjohës pafund mjekëve që përgjigjen kohë pa kohë në telefon. Faleminderit!

Sa për shifrat, nuk po i mbledh më se shëndeti nuk ka çmim, dhe me të vërtetë nuk ka çmim… por JU JUTEM mos lejoni t’iu tallin më me këtë parodinë e rimbursimit.

Ky popull asnjëherë s’ka pasur mbështetje, dhe mesa duket as ka për të patur ndonjëherë.

Ruani shëndetin, është më e pakta që e detyroheni vetes!