Transmetuar më 21-11-2020, 20:28

Ndonëse jetonte në një vilë të rrethuar dhe me roje, Adriatik Tresa, 45 vjeç, u vra në një atentat të organizuar në Guayaquil të Ekuadorit.

Shtatë persona të maskuar si policë u futën në banesë pasi thanë se kishin urdhër kontrolli nga gjykata.

Mediat ekuadoriane kanë publikuar edhe momentet kur policët e rremë shkojnë tek banesa e shqiptarit dhe rojet u hapin portën.

Mediat në Guayaquil kanë ndërtuar edhe skemën e vrasjes, ku një person me një pushkë të rëndë e qëlloi gjashtë herë Adriatik Tresën.

Zyrtarët e Policisë lokale thanë se shkak i vrasjes dyshohen prishja e pazareve për kokainën.

Adriatik Tresa thuhet se ishte ndaluar në vitin 2013 si i dyshuar për vrasjen e një gazetari në Guayaquil, por edhe ishte skeduar si pjesë e grupeve të drogës.

Dyzetepesëvjeçari ishte i martuar në Ekuador dhe jetonte prej vitesh aty, duke marrë edhe leje qëndrimi.

Ky nuk është rasti i parë i vrasjes së shqiptarëve në këtë shtet të Amerikës së Jugut për shkak të konflikteve të drogës.

Në vitin 2017 u ekzekutua Ilir Hidri nga Vora ndërsa një vit më vonë u ekzekutua Adriatik Llagji nga Borshi dhe Fadil Kaçaniqi.

Po në vitin 2018 një tjetër shqiptari që lëvizte me makinë të blinduar iu bë atentat po në Guayaquil.

Burime nga policia e shtetit që citon Euronews Albania bëjnë me dije se po hetohet për të shkuarën e Adriatik Tresës në Shqipëri për të ndihmuar homologët ekuadorian në zbardhjen e ngjarjes.