Transmetuar më 21-11-2020, 19:06

Kryeministri Edi Rama, në një video mesazh të regjistruar që publikoi sot në orën 18 alarmoi se qytetarë të irrituar mund të sulmojnë mjekët e spitaleve Covid pas akuzave të kreut opozitar se janë fshehur të vdekurit me koronavirus në Shqipëri.

"Ky akt, nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë dhe mund të nxisë edhe dhunën në rast se një familjarë mund të humbasë të afërmin e tij”, tha z. Rama.

Ai e cilësoi denoncimin e Lulzim Bashës si një episod të luftës së shëmtuar për pushtet që nuk duhet harruar nga asnjë shqiptar si një akt përçarjeje mes nesh, në luftën kundër këtij armiku të padukshëm".

Në mesazhin e tij, Rama lëshoi një thirrje të nënkuptuar ndaj prokurorisë që të mos investohet në hetime ndaj mjekëve.

"Prokuroria e di vetë punën, nëse do e shohë të arsye që të përfshihet në këtë marrëzi politike, askush nuk do e pengojë, duhet mbajtur shënim nga një gjykatës si një lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si popull". /noa.al/