Rikthehet futbolli shqiptar, çfarë pritet në duelet më interesante të javës së tretë
Transmetuar më 21-11-2020, 13:24

Sot luhen ndeshjet e javës së tretë të Superiores.

Pas angazhimeve të kombëtares për nëntorin (një miqësore dhe dy kualifikuese), futbolli rikthehet  sërish për klubet shqiptare.

Në pesë stadiume të vendit do të kthehet kampionati elitar, me sfida vërtet interesante. Spikat klasikja e futbollit tonë, Vllaznia-Tirana, që do të luhet në “Loro Boriçi”.

Kuqeblutë e Shkodrës janë të vetmit me pikë të plota, pas dy ndeshjeve të para të kampionatit të ri. Nga ana e saj, Tirana e ndërroi trajnerin shumë herët, përmes rokadës Egbo-Dede.

Duel interesant është edhe ai i Durrësit, mes Teutës vendëse dhe Kukësit.

Për miqtë, në kuotën e zero pikëve për momentin, duket një transfertë “jetë a vdekje”, sidomos në sytë e presidentit Gjici, që ka nisur “kërcënimet” përmes vonesës së pagave.

Ai kërkon rezultate, ndaj sfida e sotme është një provë karakteri për nënkampionët, që duhet të bëjnë pa trajnerin Skënder Gega, në izolim prej koronavirusit dhe disa lojtarëve.

Partizani-Laçi premton emocione, sepse ballafaqohen dy skuadra me ambicie maksimale. Të kuqtë e Ilir Dajës kanë vuajtur mungesën e merkatos verore, pas dënimit të FIFA-s, ndërsa kurbinasit spikasin në këtë drejtim. Armando Cungu ka një grup mjaft cilësor futbollistësh, me të cilët oreksi është shtuar. Këtë sezon kërkohet më shumë se Kupat e Europës, pse jo, një trofe.

Duelet e tjera do të kenë historinë e tyre, me siguri, por si pritshmëri nuk mund të futen në “thesin” e sfidave që përmendëm më sipër.

Bylis-Skënderbeu dhe Kastrioti-Apolonia duhen kundruar si të barabartë mes të barabartëve, për pjesën e dytë të renditjes së Superiores, megjithëse krutanët kanë befasuar në dy javët e para, kanë marrë 4 pikë dhe pozicionohen të tretët për momentin./a.m/NOA.al/