Monika Kryemadhi vendos për herë të parë maskën, “vetëm partia ma mbledh, askush tjetër”   
Transmetuar më 21-11-2020, 12:55

LSI zhvillon sot zgjedhjet brenda partisë për kryetarin dhe strukturat e reja drejtuese të saj.

Kryetarja aktuale e LSI Monika Kryemadhi, e cila është kandidate e vetme për kreun e kësaj force politike,  ka votuar pak më parë në zgjedhjet edhe për anëtarësinë dhe strukturat drejtuese.

Ajo që ra në sy te Kryemadhi, ishte mbajtja e maskës që kryetarja e LSI e vendosi për herë të parë.

Ka qenë një anëtare e LRI që i ka dhuruar maskën Kryemadhit.

“Ju lutem ju kemi sjellë një maskë për tu mbrojtur”, i tha anëtarja e re e LSI, ndërsa Kryemadhi pasi e mori maskën dhe e vendosi, tha, “ju mbroj juve se veten s’ka nga ta mbroj.”

Kujtojmë se Monika Kryemadhi është gjobitur dy herë deri tani, sepse nuk ka mbajtur maskë në ambientet publike.

Pjesë nga deklarata e Monika Kryemadhit:

“Sot unë dhashë një votë si të gjithë anëtarët e LSI. Shoh shumë vajza të reja dhe të rinj që i janë bashkuar LSI në këto vite të opozitës. Unë sot garoj për tu rikonfirmuar. Po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues, të gjitha strukturave drejtuese që do të dalin nga ky proces. Që do të drejtojnë LSI në misionin e saj kombëtar, për t’ju dhënë shqiptarëve të ndihen në Shqipëri si në shtëpinë e tyre”.

“Jam shumë krenare për ata të rinj dhe të reja që sot kanë zaptuar dhe kanë pushtuar zyrat e qendrat e votimit të LSI, me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe. Kjo tregon se fitorja jonë në 25 prill do të jetë e madhe. Por nuk është fitore e LSi por e të rinjve”.

“Në fakt, partia ma mbledh, nuk ma mbledh dot njeri tjetër. Unë përsëri vazhdoj të mendoj që maska është një element që mbahet në ambient të mbyllur, njerëzit duhet ta mbajnë se besojnë, jo se i kërcënojnë. Shqiptarët nuk i mund as koronavirus, as varfëria, as diktatura, janë një popull që brenda vetes së tyre kanë dashurinë, solidaritetin, lidhjen dhe forcën me njëri-tjetrin”, tha Kryemadhi./a.m/NOA.al