Transmetuar më 21-11-2020, 12:43

Edhe pse mësimi u zhvendos në banesat e studentëve për shkak të situatës së Covid-19, gjatë vitit 2019-2020, por dhe gjatë këtij viti të ri akademik , paratë e studentëve nga universitetet nuk kanë shkuar për studime dhe kërkime shkencore sipas monitorimit të QQ-së në 6 universitetet publike, por vazhdojnë të shpenzohen për sigurinë e godinave universitare si dhe restaurimin e tyre.

Fakulteti më i madh publik në vend , ai Ekonomik, edhe pe u ndërtua rreth 15 vite më parë, i është nënshtruar një rikonstruksioni tjetër, me vlerë qindra mijë euro.

Godina e këtij fakulteti prej muajsh është kthyer në një gërmadhë.  Nuk dihet se cila është arsyeja e këtij vendimi, për të modernizuar ambientet, dhe si janë siguruar paratë.

E njëjta situata ndeshet thuajse në të gjitha fakultetet. Pa biblioteka, pa praktika mësimore të cilësisë që kërkohet, ato shpenzojnë për lyerjen e fasadave, për mobilje dhe të tjera shpenzime luksi.

Nga 32 milionë euro në të gjithë zërat e buxhetit të 6 universiteteve publike, kërkimi shkencor zë vetëm 0.1%, pra 38 mijë euro, ndërsa për sigurinë e godinave edhe pse nuk ka pasur studentë e s’ka pasur rreziqe janë shpenzuar 1.7 mln euro.

Më pas edhe pse lëvizjet nuk lejoheshin, universitetet kanë shpenzuar për dieta e udhëtime 250 mijë euro.

Filozofia e tyre nuk ka ndryshuar, në vend të përshtatjes me epideminë, universitetet nuk kanë harxhuar asnjë para për digjitalizimin e shërbimeve.

Universiteti i Tiranës kryeson si më dorëlëshuari mes institucioneve arsimore të Shkodrës, Elbasanit apo Durrësit, ndërsa universiteti “Fan Noli” i Korçës vlerësohet si më kursimtari./a.m/NOA.al