Koronavirusi i merr jetën kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej
Transmetuar më 20-11-2020, 08:10

Koronavirusi i merr jetën kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej ka vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus. Irinej u shtrua në një spital ushtarak të Beogradit gjatë mbrëmjes së 4 nëntorit, pasi më parë kishte dalë pozitiv në Covid-19.

Kisha Ortodokse Serbe njoftoi më 17 nëntor se gjendja e patriarkut ishte e qëndrueshme, por më pas, më 19 nëntor, Kisha Ortodokse konfirmoi përmes një deklarate se gjendja e tij ishte përkeqësuar.

Më 1 nëntor, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, udhëhoqi funeralin dhe liturgjinë para varrimit të Metropolitit Amfilohije të Malit të Zi, e cila i ndoq nga mijëra besimtarë. Metropoliti Amfilohije ndërroi jetë më 30 tetor për shkak të ndërlikimeve të shkaktuara nga koronavirusi.

Në varrim, ku ishte i ekspozuar një arkivol i hapur me trupin e mitropolitit, priftërinjtë, shumica e besimtarëve, si dhe disa politikanë, nuk vunë maska dhe as nuk respektuan distancën fizike.

Trupi Kombëtar i Koordinimit për Sëmundjet Infektive i Malit të Zi, dënoi me forcë "shkeljen drastike të masave kundër pandemisë". Irinej u zgjodh në postin më të lartë në Kishën Ortodokse Serbe, në janar të vitit 2010.