Transmetuar më 19-11-2020, 19:26

OPINION nga Silvana Begaj

"Është mrekulli të përpiqesh me bindje, të përqafosh jetën dhe ta jetosh me pasion. Të humbasësh me klas dhe të fitosh me guxim. Sepse bota i përket atij që guxon…"

Charlie Chaplin

Pas çdo tërmeti të fuqishëm gjithmonë del dikush që e kishte parashikuar atë. Pas çdo suksesi gjithmonë del dikush që ose do të marri meritat ose besonte tek ty. Pas çdo humbje gjithmonë del dikush që e dinte dhe madje të ngushëllon me shprehjen e përjetshme: Të thashë!

Unë zgjodha të mos dëgjoja asnjë nga parashikuesit dhe vura përpara ndërgjegjen. Jam nisur gjithmonë me qëllimin e të mirës në veprimet e mia edhe pse pjesën më të madhe e kam bërë gabim. Fitova? Jo ! Humba? Jo! E arrita lumturinë e përjetshme? Jooo! Jam e pakënaqur ? Joo! Jam në një luftë të madhe përpjekjesh për të rritur fitoret dhe humbjet e mia.

Më duhet të pranoj me ndershmëri se më shumë kam humbur në përpjekjet e mia seç kam fituar. Në këto vite kam mësuar të humb me dinjitet.

Jam rrëzuar, shpesh jam vrarë, por gjithmonë jam ringritur. Sepse të vritesh nuk do të thotë të vdesësh. Kam arritur dhe përsëri kam rihumbur cdo gjë. Kam qeshur deri në kupë të qiellit dhe kam qarë deri në thellësinë më të errët të nëntokës. E përsëri jam këtu! Kjo është jeta! Le vend për mirësi dhe për ligësi.

Por dje, dje ndjeva një lumturi të çuditshme kur dëgjova që nxënës të shkollave të mesme analizonin në formë eseje shkrimet e mija. Kjo kishte ndodhur në Vlorën time e ndoshta në shumë qytete të tjera. Është e lehtë të të duan fëmijët, po ashtu dhe të rriturit, akoma më e lehtë të të duan moshat e thyera ,por të të duan adoleshentët është sukses më vete. Të arrish brendësinë e tyre kontradiktore që vjen nga metamorfoza është shumë e vështirë. Më kujtohet adoleshenca ime, por këta janë adoleshentë me një adoleshencë akoma më të vështirë.

Po jetojnë mes luksit dhe pa e prekur atë, mes informacionit dhe padijes, midis iluzioneve mediatike dhe realitetit bardh e zi. Ne nga ana tjetër, kërkojmë një brez kreativ, ambicioz, konkurrues dhe ndërkohë propagandojmë jetën luksoze të lehtë në një botë pa mundësish. Ata jetojnë në një ndarje ekonomike, sociale dhe klasore të theksuar. Shpesh shumë nga ju ndjeheni keq e deri diku kalon në dhimbje dhe njeriu që përjeton dhimbje ka dy rrugë: ose të zgjedh të bëhet ndryshimi ose të lejojë padrejtësinë të rritet. Ju bëhuni ndryshimi!

Të jesh më i fortë se shoku dhe ta bullizosh atë nuk të nderon, nuk të burrëron ,por të turpëron. Kur mbron dikë në rrezik atëherë ke pse të krenohesh. Një pjatë me shumë nuk të varfëron , përkundrazi të mbush e të ngop shpirtin. Të ndash me ata në nevojë është të mbjellësh trëndafila në rrugën e parajsës që do tju sjelli e ardhmja.

Një buzëqeshje , një motivim për dikë që po kalon një periudhë të vështirë nuk kushton. Një buzëqeshje edhe pse e bërë për dikë tjetër mbetet përsëri buzëqeshja juaj. Ne quhemi bijtë e shqipes, sepse fluturojmë më lartë se të tjerët, por mos harroni se edhe pse shqiponjat e kanë folenë në një lartësi që i bënë të parrezikuar nga kafshët apo shpendët e tjera ata vriten brenda llojit. Shqiponja e porsalindur dhe më e forta qorron vëllezërit e saj që gjithë ushqimi të ngelet për të. Mos veproni ashtu. Kjo botë ka nevojë për mirësi dhe ne jemi këtu ti zgjasim dorën njëri tjetrit edhe nëse shteti jonë nuk po bënë ndarjen e barabartë të të ardhurave , ne e bëjmë vetë. Pyesni njerëzit afër jush nëse kanë nevojë për dicka në këtë kohë pandemie. Disa prej tyre janë mosha të treta dhe vetëm ose me fëmijët në emigrim. Ju, adoleshentët e sotëm, mund të shpëtoni jetë.

Duhet të dini që puna nuk është turp! Përkundrazi nëse punon tregon që je një shkallë më i zoti se të tjerët. Çdo punë e ndershme është nder.

Veshja e shtrenjtë nuk të bënë më të bukur. Realisht një veshje ngelet një rrobë e padukshme pasi në të vërtetë ajo që shikohet është shkëlqimi i mirësisë që tregohet në pasqyrën e syve.

Duhet të dini që koha shuan cdo lumturi dhe cdo tërbim të tmerrshëm, çdo dhimbje e çdo qetësi, duhet vetëm të mbillni durim dhe ti lini kohë kohës. Por mbi të gjitha duhet patjetër, patjetër dhe patjetër të lexoni! Duhet vetëm të filloni, sepse mjafton fillimi dhe leximi të rrëmben. Kështu është një adoleshencë e denjë. Duke lexuar dhe duke përjetuar gjëra që të tjerët as nuk e dinë që ekzistojnë. Dhe atëherë vetëm atëherë ne fillojmë luftën e jetës të mirarmatosur me dije dhe ska politikanë mediokër të zbehi madhështinë e shqiptarëve, udhëheqësve të Ballkanit që fillon nga Ju!/a.m/NOA.al