Incidenti me Andi Lilën në stadium, punonjësi: O vlla, është politike! (Debati)
Transmetuar më 19-11-2020, 10:35

Një ditë pas incidentit në stadiumin e Kavajës, ku ish-futbollisti i kombëtares nuk u lejua nga policia të jepte intervistë për një media, ka reaguar kryedemokrati Lulzim Basha.

Basha e quajti këtë veprim të turpshëm, duke shtuar se nuk do lejojë që Shqipëria të kthehet sërish në diktaturë.

“Kjo është e turpshme dhe kriminale! Sapo përfundova një telefonatë me Andi Lilën, një nga yjet e futbollit shqiptar, të cilit policia i kërkoi të largohej nga fusha e futbollit në qytetin e tij të lindjes në Kavajë, ndërkohë që jepte një intervistë për media. Kjo vetëm për faktin se Lila është një nga kandidatët për deputetë propozuar nga PD Kavajë! Kjo duhet të marrë fund! Askush nuk do të na mbyllë gojën! Në demokraci çdokush ka të drejtë të thotë çfarë të dojë. Ne do ta mbrojmë me forcë këtë të drejtë të fituar me sakrifica dhe nuk do lejojmë që Shqipëria të kthehet sërish në diktaturë”, shprehet Basha.

Gjithçka ndodhi një ditë më parë dhe shkak për këtë skandal ishte fakti që Lila është propozuar si kandidat për deputet nga PD e Kavajës, qyteti i tij i lindjes.

Një punonjës i Bashkisë dhe polici bashkiak i kanë kërkuar Lilës të largohet nga ambjentet sportive kur po jetpe intervistë.

Punonjësi i Bashkisë i thotë Lilës se përzënia nga fusha sportive vjen për shkak të politikës.

Debati i plotë:

Punonjësi: Ke punë shumë?

Lila: Ja mbaruam.

Punonjësi: Se na bënë me llafe.

Lila: Kush bëri llafe?

Punonjësi: Na bënë me llafe. Sikur se di si funksionon, hë pra mo.

Lila: Nuk e di, kush bëri llafe.

Punonjësi: Për Zotin na bën me llafe. Unë kastile kam ardhur, s’kam çfarë të bëj ty por na bën me llafe. Kështu që po pate për të mbaruar…

Lila: O Aldo unë këtu e kam bërë me djersë e gjak, kështu që ata të kanë thënë ty…Është fusha ime.

Punonjësi: Është muhabet politik, po të vij si vëlla, mos na vër në siklet, ti tani më kupton. Edhe ty po të thonë…

Lila: Kush të ka thënë? Të ka thënë kryetari i bashkisë?

Punonjësi: Po më vë në siklet. Të kam lajmëru unë o vlla.

Lila: Ti çfarë je?

Punonjësi: Drejtori i sporteve. Policinë bashkiake unë e kam lajmëruar vëlla?

Polici bashkiak: Jo, jo.

Lila: Kush e ka lajmëruar.

Polici bashkiak: Komandanti.

Punonjësi: Për Zotin nuk e kam lajmëruar unë, për kokë të familjes.

Lila: Komandanti? Që të nxirrni Andi Lilën përjashtë.

Punonjësi: Për Zotin na vë në siklet, na vë në siklet, për kokë të familjes se mu s’po më bi mendja. S’po kandidoj unë për kryetar bashkie, as për deputet. Për Zotin 10 vetë më kanë marrë në telefon.

Lila: Mbaruam!

Punonjësi: Me siklet të madh vallahi, po më dridhet zëri.

Një tjetër: Siklet se ikim prej pune…

Lila: Të kuptoj shumë mirë.

Punonjësi: O vlla janë ca gjëra, është politike, nuk është problemi që është sport. Po të jetë sport, është sport. Andi nuk ka punë sepse është politikë, në krah të kundërt me ne. Ky është gjithë muhabeti që është folur, çfarë të them unë?! Ka më shqip?! Për Zotin kjo është.

Lila: Pyeti njëherë vlla në Kavajë të vijë më Andi Lila apo jo? Po ça janë këto injoranca.

Punonjësi: Çfarë të them unë. Mua kështu më thanë.