Transmetuar më 18-11-2020, 23:18

Pas Shqipërisë edhe Kosova ka arritur të triumfojë sonte në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Kosova mori fitoren e vetme në grupin 3 të Ligës C, pasi mposhti Moldavinë me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Me këtë tre pikësh Kosova arriti të shmangë rënien në "Ligën D", pasi mbylli edicionin në vendin e tretë.

Sulmuesi që luan me Dinamon e Zagrebit, Lirim Kastrati shënoi golin me vlerë 3-pikësh për Kosovën në minutën e 31-të, ndërsa minutat e fundit “dardanët” i luajtën me një futbollist më pak, pasi Dresevic u ndëshkua me karton të kuq.

Kosova mori kështu një fitore tërësisht të merituar ndaj Moldavisë, që ra në Ligën D, ndërsa grupin e fitoi Sllovenia, që siguroi njëkohësisht të drejtën për t’u ngjitur në Ligën B.

Shqipëria fitoi sot pasdite me rezultatin 3-2 përballë Bjellorusisë dhe u ngjit në Grupin B.