Ku u bazua Qeveria që nxori 13 euro kosto kurimi për Covid-19?!
Transmetuar më 18-11-2020, 23:33

ANALIZË

Më së paku e painformuar dhe më së shumti hileqare, është treguar sot qeveria, me vendimin e sotëm për rimbursimin e kurave ndaj Covid-19. Një vendim që duket se nuk është përballur fare me realitetin që po prekin përditë shumë të infektuar me koronavirus.

Vendimi përcakton dy kura, njëra 1650 lekë ose 13 euro dhe tjetra, 10900 lekë ose 87 euro. Kura që do të jepen me receta nga mjeku i familjes dhe do rimbursohen pas pagesës në farmaci.

Por si i bëri llogaritë qeveria që nxori këto shuma?

Le ti marrim me radhë dy recetat që japin mjekët e familjes, që e ndajnë kurimin me dy faza në kushte shtëpiake.

Receta e parë për trajtë të lehtë, përmban vitaminë C 1000 mg për të paktën 30 ditë; zink 25 mg, Vitaminë D3, shurup për fytin dhe kollën, antiviralë me përmbajte paracetamoli, etj.

Sa kushtojnë këto barna që duhen përdorur për afro një muaj? Vitamina C 1000 kushton 2300 lekë. Sigurisht nëse nuk do përfundosh të blesh vitamina C prodhim i dobët shqiptar që të gjithë farmacistët ta thonë hapur se nuk bën.

Vitamina D kushton jo më pak se 700 lekë. Zinku dhe nja 500 të tjera. Antiviralët minimalisht 400 lekë doza ose deri 1200 lekë kura. Shurupi më i lirë është 600 lekë. Këto arrijnë në 5300 lekë ose mbi tre herë më shumë se ç’rimbursohet.

Lind pyetja? Ç’lidhje ka kjo shumë me atë që ka vendosur qeveria? Vallë a nuk nxori në rrugë dikë që të pyesë në ca farmaci se sa paguajnë njerëzit për vitaminoterapi dhe për antiviralë?

E të mendosh që këtu nuk është përfshirë azitromicina që kushton duke nisur nga 1200 lekë dhe disa kosto të tjera që kalojnë te paketa e mesme.

Por që në kurën fillestare, duhen disa analiza gjaku që kushtojnë edhe ato. Mjekët e familjes të përcjellin në laboratorët privatë se shteti as që përmendet më këtë situatë pandemie. Dhe këtu ikin edhe 2300 lekë të tjera.

Më tej duhen edhe grafi e ndonjë skaner që shkojnë me dhjetëra mijë lekë. Mos harrojmë se antibiotikët kushtojnë shumë, po ashtu kontrolli i oksigjenit, deri dhe shiringat, ku infermierët nuk të vijnë në shtëpi pa 1000 lekë të reja për çdo herë që bën infeksionin.

Kështu, edhe paketa e dytë për trajtë të mesme prej 10900 lekë, mbulon vetëm një pjesë shumë të vogël të kostove që për trajtën e mesme shkojnë deri në 75000 lekë.

E ndërsa shqiptarëve nuk u dalin fare llogaritë me këto vlera rimbursimi, qeveria ka mbushur Facebook-un me postera ku thotë se ka vendosur 100 për qind rimbursim të barnave që do të marrin për tu kuruar nga Covid-19.

Ka dhe ca hile të tjera

Paketa e medikamenteve për kurimin e koronavirusit që do të rimbursohet nga shteti, do të jetë e zbatueshme vetëm për personat që janë konfirmuar zyrtarisht pozitivë dhe që e kalojnë sëmundjen në kushtet e shtëpisë.

Kjo do të thotë që vetëm nëse ke bërë tampon në shtet dhe del pozitiv, rimbursohesh. Por në Institutin e Shëndetit Publik vonesat për marrjen e përgjigjes së tamponit shkojnë deri në mbi 10 ditë, kohë që pacienti mund të shërohet apo të rëndohet më tepër dhe nuk mund ti ketë të nevojshme medikamentet e rimbursuara.

Nuk dihet kur i shtrin efektet ky vendim

Ministria e Shëndetësisë nuk ka deklaruar se sa është fondi që nevojitet për të mbuluar paketën e barnave anti-covid.

Nuk ka përcaktuar as se kur nis zbatimi i buxhetit të ri. Nuk dihet a do të rimbursohen gjithë ata që deri tani janë kuruar. Nuk dihet edhe se kur i shtrin efektet ky vendime dhe pse thuhet se hyn në fuqi menjëherë. /noa.al/