Presidenti Meta: Cikalleshi është i paparë. Premton një dhe bën dy gola!
Transmetuar më 18-11-2020, 18:40

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zbuloi se para ndeshjes me Bjellorusinë sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi, i kishte premtuar një gol.

Meta e pa ndeshjen në stadium dhe shkoi në dhomat e zhveshjes për të përgëzuar ekipin pas fitores, veçanërisht sulmuesin e dy golave.

“Cikalleshi është i paparë. Premton një dhe bën dy! Urime kuqezinjve tanë!”, – tha Meta pas fitores 3-2 të kuqezinjve, fitore që i ngjiti ata në vendin e parë të grupit 4, në Ligën C të Kombeve.

Sokol Cikalleshi realizoi dy gola në pjesën e parë të ndeshjes. Shqipëria e mbylli në fitore, 3-1 pjesën e parë. Takimi i fundit i Ligës së kombeve kundër Bjellorusisë u mbyll 3-2 në favor të kuqezinjve.

Golin e tretë për Kombëtaren e shënoi Manaj.

Kjo fitore ngjiti kuqezinjtë në Ligën B.  /a.m/NOA.al