Transmetuar më 18-11-2020, 09:47

Ata u martuan 63 vjet më parë dhe kaluan gjithë jetën së bashku. Dhe së bashku vdiqën, nga Covid-19, në të njëjtën ditë.

Olga dhe Vincenzo Molino jetonin në një apartament në Sesto San Giovanni (Milano, Itali) dhe ndërruan jetë një orë njëri pas tjetrit të dielën pasdite: ajo 83 vjeçe dhe ai 82, humbën jetën  katër ditë pasi u shtruan në spitalin "San Gerardo" të Monzës.

"Ata nuk dilnin, ishin shumë të kujdesshëm, vetëm gjyshi shkonte për të bërë pazar dhe blinte ilaçe në farmaci, fatkeqësisht u sëmurën, – thotë Katia, një nga gjashtë nipërit dhe mbesat, e cila jeton në zonën e Bergamos -. Ata kishin festuar 63 vjet martesë në 26 shtator dhe ishin gjithmonë bashkë. Unë do ta mbaj me vete kujtimin e gjyshes sime nga Pulia, ndërsa ajo po përgatiste gatimet dhe gjyshin tim pranë saj, që e ndihmonte gjithnjë".

Olga dhe Vincenzo ishin shtruar në spital në "San Gerardo" në Monza më 11 nëntor, por ata kishin qenë të sëmurë për rreth dhjetë ditë me ethe shumë ta forta.

"Ishte gjyshi ai që tregoi simptomat e para, – thotë Katia, – dhe më pas edhe gjyshja. Pavarësisht nga ethet e larta, për më shumë se një javë mjeku nuk erdhi kurrë për t’i vizituar, ai i dha atij një antibiotik duke thënë se ishte grip, por kishte qenë Covid-19. Në mëngjesin e datës 11 nëntor, ai dhe ajo kishin temperaturë të lartë, kështu që xhaxhallarët thirrën urgjencën dhe shkuan në spital".

Ata nuk ishin në të njëjtën dhomë, por Olga, gjendja e së cilës ishte më pak e rëndë, kishte kërkuar që të lejohej të mbante xhaketën e burrit të saj në dhomë, për ta ndjerë më afër. Burrë e grua ishin në një distancë të shkurtër larg: pas vetëm 4 ditësh, në orën 14:00 pasdite të dielën, Olga vdiq e para dhe një orë më vonë edhe Vincenzo. /e.a/noa.al/