Transmetuar më 17-11-2020, 23:15

Milaim Bellanica, që thotë se është dëshmitar në krimet e ndodhura në Krushën e Madhe, ka lëshuar një pretendim të ri, duke thënë sonte se ai “pi duhan me të vdekurit”, duke iu referuar masakrës në fshatin e Rahovecit.

Bellanica ka pretenduar duke folur për "Frontal", se ai po komunikon me të vdekurit, duke treguar deri dhe përvojën sipas tij me një person që ia kishte marrë një të vdekuri duhanin.

“Çdo ditë më thonë si po shkel mbi gjakun tonë. Flas me ata, komunikoj me të vdekurit. Edhe pij duhan. I kam marrë duhanin, i kam thënë si nuk çohesh me pi duhan, ja kam marrë duhanin. Çdo ditë më thonë a të kujtohet kur ma more duhanin?”, tha ai për emisionin në T7.

Bellanica shkoi më tej duke thënë edhe se nëna e tij e ka zënë duke folur me personat që nuk janë më.

“E shoh trupin e tij, vjen trupi dhe e shoh, flas me ta. Dy herë nana me ka nxan tu folë me të vdekurit. Gjithkujt i duket absurde, por mua më ndodhin”, shtoi ai.