Tronditëse! Pacienti ndërron jetë nga Covid, lihet për orë të tëra me të gjallët në dhomë
Transmetuar më 17-11-2020, 20:28

Familjarët i jë të sëmuri me Covid që ndërroi sot jetë ankohen se i vdekuri u la në dhomë me të gjallët, për disa orë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në spitalin e Mitrovicës, në Kosovë.

Kufoma e një pacienti që ka ndërruar jetë nga Covid-19 është lënë në të njëjtën dhomë me pacientët e shtruar në repartin e pulmologjisë në spitalin e Bajrit për 3 orë me radhë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar një qytetar mitrovicas . Qytetari me inicialet Q.O ka ndërruar jetë sot gjatë orës 13:55 ndërsa familjarët ankohen se që nga ajo kohë  presin për ta larguar trupin e familjarit të tyre nga dhoma e spitalit.

Mësohet se edhe policia është prezente. Por sipas tyre kjo ngjarje tronditëse ka vështirësuar edhe ceremoninë e varrimit që do të kryhej mbrëmjen e sotme.

Duket personeli spitalor nuk ishte në dijeni të procedurave, ndërsa trupi i të ndjerit është lënë të paktën për 3 orë dhe nuk është larguar nga dhoma ku trajtohen edhe pacientë të tjerë.

Raste të tilla pakujdesie janë raportuar të kenë ndodhur edhe në QKUK, ku kufomat janë lënë të qëndrojnë me pacientët e gjallë deri edhe për 13 orë./a.m/NOA.al