Transmetuar më 17-11-2020, 17:20

Ardian Ramadani, djali i vetëm i familjes, do të varroset nesër në Panorc të Malishevës.

Atij do t’i jepet lamtumira e fundit në orën 15:00, ka konfirmuar familja.

Trupi i pajetë i 15 vjeçarit pritet të mbërrijë nesër në mëngjes në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Ardiani është goditur për vdekje nga treni mbrëmjen e së shtunës, në kantonin e Fribourgut, Zvicër.

Pas mbërritjes në spital, mjekët kanë konstatuar se 15 vjeçari nuk kishte më shenja jete.

Familja e të ndjerit ka hapur dyert e mortit, në banesën e tyre, Malishevë.

I afërmi i të ndjerit, Hafir Rexha, ka rrëfyer ngjarjen për mediat kosovare, si dhe momentet e fundit të Ardianit.

Ai tha se Ardiani ishte djali i vetëm i familjes, i cili la prindërit dhe dy motra nën moshën 18 vjeçe. Ardiani më datën 3 dhjetor do të mbushte 16 vjeç.

Në momentin e aksidentit, mësohet se 15 vjeçari kishte dalë me shokë por në rrethana të paqarta është goditur aksidentalisht nga treni.

Në media kanë rrjedhur informacione se para aksidentit ka pasur përleshje fizike mes dy grupeve adoleshentësh, para se të ndodhte aksidenti fatal.

Megjithatë, nuk ka prova se para aksidentit ka pasur përleshje dhe Ardiani u aksidentua për këtë shkak. I riu 15-vjeçar ka vrapuar në shina dhe nuk e ka vënë re trenin që po afrohej, kur edhe u përplas për vdekje prej tij./a.m/NOA.al