Vuçiç i mërzitur, zbulon çfarë i tha Merkeli për pavarësinë e Kosovës
Transmetuar më 17-11-2020, 09:45

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjithmonë ka qenë e drejtë ndaj Serbisë, edhe pse nuk e ka mbështetur Beogradin për çështjen e Kosovës.

Vuçiç pranoi se kancelarja gjermane, i ka thënë se Kosova është "një punë e kryer, një shtet i pavarur", por pastaj shtoi se Merkel "ishte gjithmonë e drejtë me Serbinë".

"Ajo është e drejtë edhe në lidhje me Kosovën, ajo nuk është në anën tonë, por ajo ishte absolutisht e drejtë kur kemi biseduar për herë të fundit në Davos (në janar 2019). Ajo më tha ‘Nuk di çfarë t’ju them në këtë moment. Shikoni se si të ruhet paqja dhe stabiliteti”, tha Vuçiç për një televizion serb..

Vuçiç shtoi se "nuk ka dyshim" që Gjermania ishte "mërzitur" për shkak të takimit të tij të planifikuar në fillim të korrikut në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, takim i cili më pas ishte të shtyrë, pasi Prokuroria e Posaçme në Hagë njoftoi se ka paraqitur aktakuzë ndaj Thaçit.

Ai shtoi se kjo është e kuptueshme sepse "ekziston një antagonizëm i madh" midis Gjermanisë dhe administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron kishin organizuar dy samite për të bindur Kosovën dhe Serbisë të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.