Njihuni me gratë e “vajit”, që paguhen për të vajtuar
Transmetuar më 17-11-2020, 09:02

Kur  Ionna Sakellarakit i vdiq i ati, ajo që jeton dhe punon si fotografe në Londër u kthye në atdhe, në Greqi. Ajo donte të qëndronte disa kohë aty për të përpunuar dhimbjen dhe për të kaluar kohë me të ëmën.

Në përpjekjen që ishte duke bërë për të kuptuar dhimbjen e vet, ajo u përballua me ritualet tradicionale të kulturës greke që kanë lidhje me vdekjen. Kështu ajo mësoi për një grup grash të moshuara, që jetojnë në fshatrat e largëta të Peloponezit dhe merren ende me një zanat të vjetër: vajtojnë kundrejt një honorari.

Moirologe quhen këto gra: "Moíra" do të thotë fat dhe "lógos" do të thotë gjuhë. Ato kërkohen të këndojnë dhe vajtojnë në ceremonitë e varrimit në Greqi, duke futur kështu familjet në ritualet komplekse të kultit tradicional grek të vdekjes. Vajtueset ngarkohen që të vajtojnë për një person që nuk e kanë takuar kurrë. Ashtu siç e kanë bërë para tyre vajtueset shekuj me radhë.

Ioanna Sakellaraki u magjeps shumë prej tyre. Pasi mori një bursë nga Londoner Royal Photographic Society, 31 vjeçarja shkoi në fshatrat ku ndodhen këto gra për të mësuar më shumë për këtë zanat të vjetër.

Projekti i saj me emrin "The Truth is in the Soils" ("E vërteta ndodhet në tokë") dokumenton jetën e disa moirologeve. Këto fotografi u treguan gjatë muajit tetor në një ekspozitë në Berlin, në kuadër të "Muajit europian të fotografisë”.

Zanatçijet e vajtimit në gadishullin Mani, e kuptojnë punën e tyre si punë për të ndihmuar familjet në zinë e tyre dhe për të shoqëruar të vdekurin në rrugën drejt botës tjetër. Vajet që ato këndojnë quhen "këngë fati", thotë fotografja, e cila po mbron doktoraturën në filozofi. Sakellaraki flet për Deutsche Welle-n. "Ato vijnë nga një traditë e vjetër dhe janë një lloj improvizimi gojor."

Nga pikëpamja historike, thotë Sakellaraki, "familjet i paguanin këto gra për këtë proces, sepse për ta ishte e rëndësishme, ishte një lloj ndarjeje e rëndësishme kolektive nga personi."

Moirologjia bazohet tek koret e tragjedive antike greke, tek të cilat këngëtari kryesor fillon vajin, që vazhdohet prej korit. Gjatë shekujve ky zanat është bërë vetëm nga gratë. Dëshmi për vajtuese profesioniste varrimi gjenden edhe në Egjiptin e vjetër, ku dy gra që luanin rolin e motrave- perëndesha Isis dhe Nephtys, ndihmonin gjatë përgatitjes së të vdekurit.

Vajtues profesionistë dhe fjalimbajtës ka sot në gjithë botën, por duhet thënë se ata e ushtrojnë profesionin e tyre krejt ndryshe, në varësi të kontekstit kulturor. Në Gjermani angazhohen njerëz që mbajnë një fjalim, duke kujtuar të vdekurin në rastet kur ceremonia e varrimit  bëhet pa shoqërimin fetar.

Në pjesë të Afrikës njerëz profesionistë paguen për të derdhur lot. Romani "Rrugët e vdekjes” i shkrimtarit afrikano-jugor, Zakes Mda tregon historinë e një vajtuesi profesionist, Toloki, që shkon nga një koloni barakesh në tjetrën në kohën e aparteidit në Afrikën e Jugut.

Në Rajasthan të Indisë, ekziston një traditë shfrytëzuese, ku gratë e klasave të ulta që punojnë për burrat e kamur dhe shprehin dhimbjen e tyre, që nuk është e pranueshme për anëtarët e familjes për shkak të klasës.

Në Kinë ekziston një histori e gjatë e vajtuesve profesionistë, që fillon që në periudhën e Dinastisë Han. Vitet e fundit ky lloj profesioni është ringjallur sërish, ndërkohë që gjatë revolucionit kulturor ishte i ndaluar.