Transmetuar më 16-11-2020, 11:18

NOA VËZHGIM/ Me 14 të infektuar nga Covid-19, çfarë recetash japin mjekët e familjes në Tiranë dhe Durrës

Ditët e fundit janë shtuar shumë rastet e njerëzve të infektuar me Covid-19, kryesisht në Tiranë dhe rrethet e tjera të mëdha në vend. Aktualisht ka më shumë të infektuar se të shëruar. Ndër mbi 14 mijë të prekur, vetëm rreth 400 janë në spitale. Pjesa tjetër, janë të izoluar në shtëpi, ku 80 për qind janë me simptoma të gradave të ndryshme.

Por cilat janë shenjat e para? Noa.al në konsultim me pacientë që e kanë kaluar Covidin ose janë ende aktivë si dhe duke folur me mjekë familjeje që ndjekin rastet, ju sjell informacionin e mëposhtëm.

Fyti

Shenjat e para më tipike nisin me probleme në fyt. Vështirësi në përcjellje dhe acarim i grykëve.

Koka

Dhimbje koke deri diku të durueshme, por që nuk ndalen, duke vazhduar me ditë. Gjithashtu rëndim i kokës.

Kolla

Problemet me fytin pasojnë shpesh edhe kollën. Ajo mund të jetë me frekuencë 2-3 herë në çdo pak minuta, ose edhe më shumë.

Temperatura

Çështja e temperaturës ha shumë diskutim. Më së shumti ajo është 37 gradë për personat me simptoma të lehta që po trajtojmë në këtë shkrim. Raportohen plot raste me temperaturë midis 36.9 deri 37.3 me zgjatje nga dy ditë e më shumë.

Ethe

Gjendja virusale shpesh shoqërohet me ethe. Karakterizohet nga dridhje, drithërima që mund të zgjasin nga pak minuta deri në disa orë.

Rrufë dhe teshtima

Ndonëse rrufa nuk përmendet në rastet e të infektuarve, fakt është se ajo konstatohet si problematikë gjatë ditëve të sëmundjes. Disa raportuan se kanë pasur rrufë që ka qenë gjithsesi më pak intensive se në rastet e gripit klasik.

Po ashtu të pranishme tek të sëmurët me Covid kanë qenë edhe teshtimat, shpesh të ndjekura nga rëndim në ato çaste të dhimbjeve të kokës.

Diarreja

Shpesh infeksioni Covid-19 sjell si simptomë diarrenë, duke shkaktuar dalje më të shpeshtë se zakonisht në banjë. Kjo mund të zgjasë rreth 3 a 4 ditë, ose dhe më shumë.

Dhimbje trupi

Shumë njerëz ankohen për dhimbje trupore. Ato mund të jenë kryesisht dhimbje muskujsh, dobësi, lodhje, etj.

Nuhatja dhe shija

Shpesh disa njerëz e humbin nuhatjen për disa ditë. Po ashtu mund të humbasin dhe shijen. Në thuajse të gjitha rastet, kjo ka zgjatur midis 5 ditë deri në 10 ditë dhe mesatarisht një javë. Humbja e nuhatjes dhe e shijes mund të mos jetë e plotë. Disa pohuan se kishin humbur nuhatjen, por ajo ishte më e durueshme se humbja e shijes.

Ushqimi

Në 14 persona, që të gjithë nga Tirana dhe Durrësi dhe të moshave nga 12 deri në 68 vjeç që noa.al kontaktoi fizikisht ose me telefon, pjesa më e madhe e tyre raportuan se nuk kishin pasur humbje oreksi.

Prindërit e dy fëmijëve përkatësisht 12 dhe 14 vjeç, njoftuan se ata u përballën me simptoma të Covid-19 që zgjatën rreth 2 ditë, me temperaturë të lartë deri në 39.6 gradë.

Gjithsesi kur humbin shijen dhe nuhatjen, e ngrëna ka qenë më së shumti mbushje barku për të shuar ndjesinë e urisë.

Mjekimi

Botërisht është pranuar se nuk ka një mjekim specifik dhe të garantuar për këtë infeksion.

Megjithatë ka një skemë që duhet zbatuar dhe që vlen për dy aspekte.

Së pari, parandalimi i infektimit në gradë serioze.

Së dyti, krijimi i hapësirave më të mira për trupin tonë që të krijojë antitrupa të cilat luftojnë infeksionin.

Noa.al ka kontaktuar fizikisht dhe me telefon me dy mjekë familjeje përkatësisht në poliklinikat shëndetësore të Tiranës që mbulojnë zonat e Ali Demit dhe të qendrës së kryeqytetit.

Ato pohojnë se mjekimi, nëse mund të quhet i tillë, konsiston në një dozë disa ditore deri disa javore vitaminave.

Ato janë:

Vitaminë C / 1000 mg e cila konsumohet një herë në ditë

Vitaminë D-vit 3 / 2.000 iu, gjithashtu 1 herë  në ditë

Zink 25 mg, po ashtu një herë në ditë

Këto suplemente ndihmojnë për të pasur një imunitet të mirë i cili mund të përballojë më lehtë infeksionin e gjithashtu mund të ndikojë në krijimin e antitrupave.

Por përderisa njerëzit ankohen edhe për pasojat e simptomave, lind nevoja edhe për barna.

Mjekët sugjerojnë përdorimin e paracetamolit 500. Ky mundëson lehtësimin e dhimbjeve të kokës dhe qetësim të gjendjes trupore.

Po ashtu sugjerohet edhe aspirina 100. Kjo ndihmon edhe për hollimin e gjakut.

Ndërkohë, çaji i ngrohtë duhet të bëhet pjesë e menysë disa herë në ditë. Çaj dafine, bliri, jeshil, mali, të zi, etj., janë të këshillueshme. Ato mund të konsumohen duke futur mjaltë në vend të sheqerit, si dhe limon.

Të gjitha këto, janë opsione vetëm për rastet e lehta që trajtohen në shtëpi dhe menaxhohen në distancë nga mjekët e familjes.

Noa.al pyeti ata se sa pacientë po menaxhojnë dhe mësoi se aktualisht është shumëfishuar numri i të infektuarve që po trajtohen, ndryshe nga periudha e verës kur kishin rreth 7 deri 10 pacientë çdo mjek familjeje.

Po faviri?

Prej disa javësh qarkullon një antiviral që quhet favir. Ai ka ardhur në Shqipëri si prodhim indian dhe turk. Ky i dyti po shitet më tepër.

Çmimi i favirit aktualisht ka rënë në 165 euro për kuti, por pak javë më parë shkonte në 500 euro.

Disa të infektuar pohuan për noa.al se kanë konsumuar favir sipas skemës 16 kokrra në ditën e parë dhe reduktim të vazhdueshëm  ditët pasardhëse, me qëllim shërim të shpejtë nga Covid-19 dhe parandalimin e përkeqësimit të mundshëm.

Noa.al pyeti mjekët e familjes, të cilët pohuan se zyrtarisht ky bar nuk jepet prej tyre. Ata refuzuan të komentojnë efektin e favir, duke nënvizuar se ai qarkullon kontrabandë në Shqipëri.

Megjithatë, sipas dëshmive nga të sëmurë që kaluan Covidin, mjekë të njohur infeksionistë që angazhohen edhe në struktura mjekësore private, e kanë dhënë favir për të infektuarit. /k.e/noa.al/

KUJDES. Noa.al me këtë informacion që ka përftuar, synon ekskluzivisht të informojë lexuesit për zhvillimet që lidhen me infeksionin Covid-19, por nuk nxit përdorim të asnjë produkti pa u konsultuar me mjekun e familjes. Nëse dikush nga ju nuk e njeh mjekun e familjes, drejtohuni në poliklinikat e lagjes ku keni vendbanimin dhe merrni certifikatë personale. Nëse nuk mund të shkoni atje, e gjeni emrin e mjekut të familjes në e-albania. 

Personat e pyetur në Tiranë dhe Durrës

M. 38 vjeç

N. 63 vjeçe

R. 28 vjeçe

A. 31 vjeçe

K. 46 vjeçe

T. 49 vjeç

A. 67 vjeç

G. 36 vjeçe

E. 46 vjeç

D. 63 vjeçe

S. 68 vjeç

A. 43 vjeçe

B. 14 vjeç

D. 12 vjeç

Nëse keni kaluar Covid dhe keni përvojën tuaj për të treguar, na shkruani në [email protected] ose në whatsapp në 0682022344