Transmetuar më 15-11-2020, 21:50

Një person në Kosovë rrezikon deri në tre vite burg për një arsye të pazakontë.

Bëhet fjalë për Enver Avdylin, i cili kur po kthehej në shtëpinë e tij, pa dy persona të panjohur teksa po dilnin nga dritarja e shtëpisë.

Ai thotë se i ndoqi dhe arriti të kapë njërin, të cilin e lidhi me litar.

Avdyli thotë se nuk ka ushtruar dhunë ndaj personit që e kapi në oborr të shtëpisë, por prokurorja e rastit, Leonora Shemsiu – Kadriu, e ka njoftuar atë se ka bërë shkelje të ligjit gjatë veprimit në raport me të dyshuarin për vjedhje.

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, nëpërmjet telefonit, i ka dhënë KTV-së një tjetër version për ngjarjen.

Sipas tij, tashmë i dyshuari Enver Avdyli nuk e ka lajmëruar policinë në momentin që e ka kapur këtë person.

“E ka zënë 100 metra larg shtëpisë, e ka lidhur, e ka tërhequr zvarrë deri në oborr dhe e ka boksuar.

Policia është lajmëruar nga fqinjët e tij. Natyrisht se ne kemi hapur hetime për të dyja palët.

I dyshuari për vjedhje tashmë është dënuar”, ka thënë prokurori Maloku.

Sipas tij, Enver Avdyli është dashur menjëherë ta thërrasë policinë dhe t’ua dorëzojë të dyshuarin atyre.

Avdyli thotë se në shtëpinë e tij janë vjedhur sende në vlerë deri 1 mijë euro, derisa i dyshuari për vjedhje është dënuar me 400 euro gjobë dhe 7 muaj burgim.