Transmetuar më 15-11-2020, 10:25

Grafiku që shikoni, flet vetë. Në Shqipëri, qeveria dha gjithsej 36 milionë euro ndihmë direkte për ekonominë.

Ato ishin paga minimale 26 mijë lekë për 3 muaj dhe 40 mijë lekë për një muaj të vetëm, për një pjesë të të punësuarve në biznese të ndryshme, pasi vendi u mbyll për afro tre muaj totalisht.

Qeveria dha edhe një fond kredie pa kolateral, por ai nuk u shfrytëzua thuajse fare nga bizneset, përjashtuar disa kompani të mëdha që shfrytëzuar rastin të marrin kredi të buta.

Ndryshe është situata sipas grafikut, në vendet e tjera të rajonit.

Maqedonia e Veriut, me popullsi më të vogël se vendi ynë, shpërndau 62 milionë euro.

Bosnje Hercegovina me popullsi thuajse sa ajo e Shqipërisë, dha më shumë se dyfishin, 77 milionë euro.

Kosova, gati 35 për qind më pak popullsi, akordoi 93 milionë euro.

Kurse Serbia, plot 160 milionë euro.

Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, kryeministër i pritshëm nëse opozita fiton zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, duke analizuar këtë grafik, thotë se "me Ramën jemi të fundit në çdo fushë, përfshirë ndihmën direkte për ekonominë".

Basha jep shpresa se së afërmi, çdo gjë do të bëhet më mirë: "Bashkë do ta shërojmë Shqipërinë, do të ndihmojmë financiarisht çdo familje shqiptare dhe do të sjellim shpresë të re për vendin". /a.b/noa.al/