Transmetuar më 14-11-2020, 15:08

Shqipëria është këto katër vitet e fundit, më e keqqeverisur se sa katër vjet më parë, zbulon një raporti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që vë fokusin tek roli i shteteve në përballimin e krizës. Ndërsa merr në konsideratë të gjithë rolin e qeverive në ekonomitë përkatëse.

Me një notë prej 4.5 pikësh në mirëqeverisje, Shqipëria lë pas në rajonin e Europës Juglindore, vetëm Bosnje Hercegovinën.

Sipas raportit, qeveria shqiptare performon dobët në të gjithë indikatorët e tjerë si konkurrueshmëria, përfshirja, rezistenca, gjithëpërfshirja dhe ambientalizmi. Në kapitullin e dedikuar Shqipërisë, BERZH evidenton se masat mbështetëse të qeverisë kapin një vlerë prej vetëm 2.8% të PBB-së.

Parashikimi i goditjes nga Covid-19 në ekonomië mbetet për një rënie prej 9% këtë vit, pa përfshirë pasojat e një mbylljeje të dytë të ekonomisë. Rreziqet e tjera që i kanosen ekonomisë shqiptare janë niveli i lartë i borxhit dhe i kredive të këqija.

BERZH lë edhe disa detyra për qeverinë shqiptare për vitin e ardhshëm, ku prioritetet janë lufta ndaj informalitetit, rritja e kreditimit për ekonominë dhe mirëmenaxhimi i borxhit publik.

Kjo sipas institucionit financiar ndërkombëtar mund të arrihet vetëm duke çuar përpara reformat dhe duke thjeshtuar sistemin tatimor.