Transmetuar më 14-11-2020, 12:16

Nga Erion Dasho

Prej javësh, qytetarët shqiptarë janë dëshmitarë të përpjekjeve të ethshme të qeveritarëve që rreken t’u mbushin mendjen se përgjigja shqiptare ndaj COVID shkëlqen.

Në fillim ishte studimi i revistës prestigjioze “The Lancet” që e nxirrte Shqipërinë vendin me shëndetësinë më të mirë në Ballkan. Duke harruar se Ballkani nuk ka vetëm Bosnjë e Mal të Zi, por edhe Kroaci, Rumani e Turqi, klasifikimi i “The Lancet” u propagandua si arritja më mbresëlënëse e shëndetësisë rilindase.

Dyshimet e para lindën kur Shqipëria ishte klasifikuar më mirë jo vetëm se Turqia, por edhe se Belgjika dhe Australia. Petët e lakrorit u zbuluan kur vetë autorët sqaruan se këto klasifikime ishin bërë mbi bazën e informacioneve (lexo: “gënjeshtrave”) të dhëna nga marifetçinjtë shqiptarë të shifrave.

Më pas ishte vizita e Drejtorit Rajonal të OBSH-së që u shit si konfirmim i sukseseve të qeverisë në përpjekje për kontrollin e COVID-it. Dr Kluge takoi qeveritarë e mjekë, vizitoi spitale dhe laboratorë dhe bëri atë që ka për mision e detyrë organizata e vet – inkurajimin e përpjekjeve të çdo qeverie nëpërmjet diplomacisë shëndetësore.

Në fund të vizitës së Dr Kluge doli qartë se i vetmi vlerësim pozitiv i ekipit të tij ishte marrja në kohë e masave të karantinës në muajin mars, një masë për të cilën edhe sot ka konsensus të gjërë se ishte e saktë, por që nisi të bëjë efektin e kundërt kur u teprua në muajt në vijim për t’i lënë vendin dështimit të madh që nisi në maj e qershor.

Së fundmi, java që kaloi paraqiti para qytetarëve një ansambël të orkestruar politiko-teknik që nga pothuajse çdo studio televizive, u mundua çdo natë të helmonte mendjen e qytetarëve.

Paturpësia arriti në momentet kur u tentua të shpëlahej truri i shikuesve me deklarata që flisnin për luksin në spitale, shtretërit e shumtë që mezi presin të trajtojnë qytetarët, personelin e bollshëm mjekësor, faktin që gjithçka ofrohet falas, faktin që Shqipëria është (sërish) vendi më i suksesshëm në Ballkan për sa i takon vdekshmërisë, etj.

A thua se nuk janë shqiptarët që po paguajnë 15 milionë euro çdo muaj vetëm për testimin, qindra e mijëra euro për çdo pacient të trajtuar në shtëpi me skemat mashtruese të trajtimit, dhjetëra mijëra euro për çdo pacient që dërgohet në Turqi (shpesh për të vdekur atje) në përpjekje të dëshpëruar për të gjetur shpëtim nga “parajsa shëndetësore” që ka krijuar në Shqipëri, rilindja.

Ajo që nxori zbuluar propagandën kësaj here ishin vetë shifrat e qeverisë, kur INSTAT publikoi raportin tremujor të vdekshmërisë. Në periudhën kur ministria raporton 300 vdekje nga COVID, INSTAT raporton 1,300 vdekje më tepër në raport me vitet e shkuara. Edhe sikur gjysma e tyre të jenë nga COVID, mjafton për ta kthyer Shqipërinë në 15-20 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë!

Në kushtet kur as testojnë, as gjurmojnë dhe as trajtojnë, pra nuk zbatojnë asnjë nga rekomandimet e OBSH-së të cilën përfaqëson Dr Kluge, përgjigja shqiptare ndaj COVID paraqitet e dështuar në çdo element.

Masat e vetme të marra gjatë javëve të fundit – gjoba për mosmbajtje maske në rrugë dhe ndalim-qarkullimi pas orës 22.00 janë qesharake dhe, siç po tregon situata epidemiologjike, pa asnjë efekt për të kufizuar përhapjen e epidemisë.

Ndërkohë është arritur në pikën ku bombolat e oksigjenit po shiten në tregun e zi për një mijë euro dhe furnizimi i pacientit me ajrin e përditshëm kalon 100 euro!

Kjo qeverie e nisi me premtimin për shendetësi falas për të arritur në pikën kur edhe ajrin, pacientët po e blejnë me pare!!!

Demagogjia dhe alibitë nuk ndihmojnë për të kontrolluar virusin! Shkenca, evidencat, përvojat e mira të botës dhe transparenca po!

Qeveritarëve të sotëm, ndoshta alibitë mund t’u hyjnë në punë më vonë! Për momentin ka nevojë për veprim të vendosur dhe masa të shpejta! Përndryshe rrezikohet të shkojmë drejt një dimri me të vërtetë të vështirë!/a.m/NOA.al