Transmetuar më 13-11-2020, 20:11

Rastet e shumta me Covid kanë detyruar vendin fqinj të zgjerojë masat.

Nga dita e hënë Greqia ka vendosur të mbyllë shkollat fillore dhe parashkollore, si dhe kopshtet në të gjithë vendin.

Në të njëjtën kohë, ekspertët sugjerojnë që gjimnazet të qëndrojnë të hapura, siç u bë në bllokimin e parë.

Vlerësohet se vendimi për të mbyllur arsimin fillor do të shoqërohet edhe me mbylljen e kopshteve që veprojnë nën përgjegjësinë e bashkive.

Qëllimi për mbylljen e shkollave në të gjithë Greqinë është ulja e lëvizshmërisë dhe ndalimi i valës së dytë të pandemisë së koronavirusit.

Mësuesit tashmë kanë informuar prindërit e studentëve të tyre për regjistrimin e fëmijëve në platformat online të mësimit.

Më parë, zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas kishte parashikuar mbylljen e arsimit fillor, duke thënë se nëse do të duhej të mbylleshin, qeveria do ta bënte atë.

Sugjerimi i specialistëve të sëmundjeve infektive për mbylljen e shkollave fillore u bë në fillim të javës dhe kishte të bënte me Selanikun.

Plot 3319 raste të konfirmuara dje dhe 3,038 sot detyruan Greqinë që të marrë vendime edhe më drastike.

Përhapja më shpejtësi e pandemisë po ndryshon çdo parashikim duke detyruar qeverinë t’i drejtohet ndoshta një izolimi të dytë kombëtar, nëse do të jetë nevoja.  /a.m/NOA.al