Vuçiç reagon për ndërprerjen e dialogut, Kosova e interpreton si kërcënim për luftë
Transmetuar më 12-11-2020, 17:15

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, presidenca e Kosovës drejtohet nga Vjosa Osmani e cila pak ditë më parë tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të ndërpritet për momentin.

Për këtë qëndrim reagoi sot edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili e krahasoi këtë rast me Armeninë dhe Azerbajxhanin, vende të cilat janë në luftë.

“Shumë mendojnë se tani gjendemi në pozitë shumë më të mirë për sa i përket Kosovës, për shkak të situatës së brendshme atje, dhe se deri në dhjetor apo janar Serbia nuk pret aq shumë presion nga fuqitë e mëdha. Por konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se një konflikt i ngrirë mund të kthehet në katastrofë të vërtetë”, tha Vuçiç.

Kjo deklaratë është interpretuar si kërcënim për luftë nga ana e Osmanit e cila ka kërkuar përgjigje nga Bashkimi Europian dhe NATO.

“Unë pres që BE dhe NATO të përgjigjen ndaj këtij kërcënimi për një luftë të dhunshme të bërë nga Vuçiç”, shkruan në Tuiter Presidentja aktuale. /k.k/noa.al/