Transmetuar më 12-11-2020, 16:23

Trajneri i Kukësit Skënder Gega ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Ishte klubi i Kukësit që njofton se trajneri Skënder Gega ka rezultuar pozitiv në tamponin e kryer për Covid 19, dhe për pasojë do të mungojë deri në shërimin e plotë. Gega mungoi sot në stolin e Kukësit, në ndeshjen e Kupës ndaj Maliqit.

Kukësi u sigurua se trajneri ka munguar në stërvitje prej katër ditësh, kur ndjeu simptomat, ndaj edhe ka pak gjasa të ketë infektuar skuadrën e tij.

“Trajneri Gega prej 4 ditësh ka ndjerë simptomat e para të virusit dhe ka munguar në stërvitje për të shmangur çdo kontakt me ekipin duke u vetëizoluar në shtëpi, ndërsa ditën e djeshme ka kryer tamponin dhe nga përgjigja që mori ditën e sotme, ai rezultoi i prekur nga Corona Virus” – njoftoi klubi i Kukësit.

Kukësi, pas dy javëve të para të kampionatit ka pësuar dy humbje radhazi me ekipet kryeqytetase, Tiranën dhe Partizanin.

Sot në ndeshjen e Kupës ndaj Maliqit Kukësi fitoi pastër 5-0, me gola të Gavazaj, Ibrahimi, dopietë e Eze dhe Kotobellit. Por në stol mungonte trajneri Skënder Gega, çka ngriti edhe dyshimet se mund të ishte infektuar me Covid. /a.m/NOA.al