Artistja e njohur Justina Aliaj infektohet me Covid, ndodhet në gjendje të rëndë te spitali Infektiv
Transmetuar më 12-11-2020, 11:54

Aktorja dhe këngëtarja e njohur nga Shkodra, Justina Aliaj, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Infektiv në Tiranë, pasi rezultoi e infektuar me koronavirus.

Sipas News24, 69-vjeçarja, prej 4 ditësh është shtruar në spitalin Covid 1 në Tiranë, për shkak të komplikacioneve që i ka shkaktuar Covid-19.

Mësohet se gjendja e saj është e rënduar.

Një prej miqve të saj, shkruan në rrjetet sociale se ylli i këngës shqiptare po vuan nga mungesa e oksigjenit.

"Justina Aliaj, po vuan mungesën e frymëmarrjes në spitalin Infektiv. E gjithë vëmendja jonë është tek ti Justi. E di se nuk ke nevojë për kurajo, se ti je tip kurajoze, e ke treguar forcën e karakterit dhe në ditë të tjera të vështira që ke kaluar në jetë dhe ia ke dalur.

Dhe sot do ia dalësh…Ti e din, se të gjithë jemi aty me ty, të gatshëm të të japim frymë nga fryma jonë, siç na ke dhënë ti me artin tënd, shpirtin tënd.

Të nderuar mjekë! Sot, para jush qëndron e shtrirë një heroinë, një aktore e madhe, një artiste e madhe, një njeri i madh, ju lutemi shpëtoni JUSTIN", shkruan miku i saj Sokol Parruca.

Justina Aliaj është një këngëtare e njohur, si dhe aktore, ku ka luajtur role të ndryshme në disa filma. /E.A/NOA.al/