Transmetuar më 12-11-2020, 11:04

Diego Armando Maradona kthehet në shtëpi. “El Pibe d’Oro” u largua nga klinika “Olivos” pasditen e së mërkurës ambientet e spitalit ku ishte shtruar më 3 nëntor për një ndërhyrje kirurgjikale në kokë. Atë ditë, Diego i ishte nënshtruar një operacioni që zgjati disa orë, për të eliminuar një mpiksje gjaku në tru, për shkak të së cilës kishte shfaqur probleme, aq nuk nuk mund të mbante ekuilibrin.

Gjithçka shkoi për mrekulli. Ndërhyrja rezultoi e suksesshme, e tani do të nisë faza e rehabilitimit, me pacientin që do të shërohet gradualisht. Pas 8 ditësh në spital, Maradona ishte në gjendje të kthehej pranë familjes së tij dhe tani do të ndiqet nga një ekip i përkushtuar për periudhën e rehabilitimit.

Diego nuk do të jetojë me vajzën e tij Giannina, në lagjen "Nordelta" të Buenos Aires, por në një apartament me qira, që nuk është larg shtëpisë së saj.

Mjeku Leopoldo Luque, i cili operoi Maradonën, kishte njoftuar daljen e tij nga spitali, duke nxitur mbështetësit e Diegos të grumbulloheshin për t’i uruar idhullit të tyre kthimin në shtëpi.

Matías Morla, avokati personal i Maradonës, kishte folur disa orë më parë për shëndetin e ‘Pibe de Oro’. "Diego ka përjetuar ndoshta momentin më të vështirë të jetës së tij, mendoj se është një mrekulli që kjo goditje cerebrale është zbuluar, e cila mund t’i kishte kushtuar jetën. Ajo që duhet tani, është një bashkim familjar dhe se ai është i rrethuar nga profesionistë të shëndetësisë. Kur them bashkim familjar, situata është e qartë, dua të them të jesh në paqe me të afërmit, të cilët respektojnë njëri-tjetrin, kush mund të koordinojë vizitat. Diego duhet të rehabilitohet, për problemin që ka. Ne duhet t’i japim atij paqen dhe unitetin, e mira e përbashkët është shëndeti i Diegos". /E.A/NOA.al/