Transmetuar më 10-11-2020, 11:46

Teksa ende trupi i Koço Devoles nuk është përcjellë për në banesën e fundit, janë të shumta kujtimet e miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij ndër vite sa i takon prodhimeve të telekomedive humoristike.

“Gjuetia e fundit” është një telekomedi shqiptare e prodhuar në vitin 1992 nga Radio Televizioni Publik Shqiptar, me skenar të Koço Devoles dhe regji nga Pali Kuke e Koço Devole. Me një humor të shkëlqyer, larg çdo banaliteti, satirizohej figura e ishdiktatorit Enver Hoxha, i shoqëruar kudo nga kryeroja e tij, Sulo Gradeci.

Skenaristi kishte qëmtuar episode nga më të ndryshmet, të ndodhura gjatë viteve të diktaturës, rrëfime e anekdota njerëzish të ndryshëm, të cilat jo detyrimisht kishin lidhje me diktatorin, por edhe me anëtarë të tjerë të ish-Byrosë Politike.

Siç ka treguar për “Panoramën” aktori Xhevahir Zeneli, episodi i gjuetisë së derrave është rrëfyer nga një ish-ushtar, që ishte çuar për të trembur derrat gjatë gjuetisë së Kryeministrit të kohës, Mehmet Shehu, ndërsa dybeku i famshëm i Nafijes lidhej me një byroist tjetër dhe ngjarja kishte ndodhur në Kolonjë.

"Koço ishte një vëzhgues i vëmendshëm. Ai qëmtonte episode, personazhe, i ndërthurte bukur me njëritjetrin dhe ia vishte një personazhi. Më kujtohet kur xhironim në Pallatin e Brigadave dhe gjatë pushimit bënim batuta, të cilat më pas bëheshin pjesë e veprës, – kujton Xhevahir Zeneli. – Shumë prej episodeve të përfshira në telefilm, janë rrëfime të njerëzve të ndryshëm. Edhe pse të gjitha bëmat ia veshëm komandantit, nuk i kishte bërë ai të gjitha. Për shembull, historinë e gjuetisë na e rrëfeu një biletashitës në Teatrin e Varietesë, të cilin kur kishte qenë ushtar, e kishin çuar për të trembur derrat, kur gjuante shoku Mehmet; ndërsa atë pjesën e dybekut, e kam treguar unë dhe ka ndodhur në Kolonjë, por jo me komandantin, por me një tjetër anëtar Byroje. Por ishte arti i Koços për t’i bërë të gjitha bashkë", – thekson Zeneli.

Telefilmi vjen nën interpretimin e shkëlqyer të aktorëve Koço Devole, Vasillaq Vangjeli, Agim Bajko, Sejfulla Myftari, Marjana Kondi, Skënder Sallaku, Xhevair Zeneli, Mehdi Malkaj. /E.A/NOA/