Transmetuar më 07-11-2020, 14:24

Një grua që vrau burrin me sëpatë kërkon që t’i ulet dënimi prej 25 vite burg. Ajo pretendon se burri ishte i lidhur me trafikantë drogë, dhe ushtronte vazhdimisht dhunë ndaj saj dhe fëmijëve, para se ta vriste.

Dhuna e problemet që ia sillte bashkëshorti e futën Suzanën në depresion dhe ajo filloi trajtimin me medikamente. Përjetimet e saj nuk ia tregonte familjes në Kosovë. E mbante shpresa se Artani do të përmirësohej dhe jeta e tyre një ditë do t’i kthehej normalitetit.

Suzana Zogiani-Sekiraqa, më 21 shtator 2018, në qytetin Dole të Francës, u ka dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti Artan Sekiraqa, duke e goditur atë 11 herë me sëpatë në qafë. Ajo thotë se vrasjen e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre. Zogiani-Sekiraqa e konsideron të padrejtë dënimin prej 25 vjetësh burgim. Thotë se trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj dhe të djalit për abuzimin.

Në çaste të tronditjes mendore e para gjë që i ra në mend ishte të largohej nga shtëpia.

“Kam qenë e tronditur, duart më dridheshin, mezi e shënoja adresën në GPS. Nuk më ka rënë në mend t’i marr as stolitë e arit. Doja të ikja sa më shpejtë, t’i çoja fëmijët te nëna ime në Kosovë. Se çfarë do të ndodhte me mua as që e kam menduar”, tha Suzana, lidhur me krimin.

Fëmijëve u tha se po shkonin te gjyshja, sepse ka ndodhur diçka shumë e keqe. Por djali e dinte se çfarë kishte ndodhur.

Organizata franceze, ku ka kërkuar ndihmë Suzana, përbëhet nga punëtorë socialë, të cilët u ndihmojnë grave viktima të dhunës në familje.

Njëra nga punëtoret ka pranuar të flasë për “Kohën” rreth rastit të Suzanës. Por nuk ka pranuar t’i bëjë publikë as emrin e saj e as të organizatës. Ajo ka thënë se zonja Zogiani-Sekiraqa ka kërkuar ndihmë te ta më 2013 dhe 2014 dhe u ka treguar për dhunën që po ushtron ndaj saj i shoqi.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Suzana e konsideron të padrejtë dënimin dhe ka shumë vërejtje për mënyrën se si është trajtuar rasti i saj. “Askush nuk ka marrë mundin ta analizoj rastin tim në thellësi dhe ta zbardhë të vërtetën dhe rrethanat që më çuan tek vrasja”, thotë ajo.

Gjykata e ka vlerësuar pjesërisht të besueshme dëshminë e djalit duke marrë parasysh vetëm deklaratat e tij për raportet e këqija mes prindërve dhe dhunën që ka ushtruar i ati ndaj nënës së tij. Ia ka hedhur poshtë deklarimet për abuzim seksual nga babai. Trupi gjykues i ka cilësuar të sajuara pohimet e Suzanës.

Djalin e ka marrë në pyetje një punëtor social dhe nuk i është bërë asnjë ekzaminim fizik e as psikiatrik. Suzana i ka shkruar letra gjykatës me kërkesën që fëmijët të ekzaminoheshin dhe që të tretë të trajtoheshin nga psikologët. Kërkesa e saj nuk është marrë parasysh.

Organizata Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka monitoruar disa raste të dhunës në familje që kanë përfunduar me vrasje. Ndër to është edhe rasti i Suzanës. Kjo organizatë ka vërejtur se në rastet kur vrasësi është burrë, dënimet e gjykatës janë më të ulëta sesa në rastet kur gruaja kryen vrasjen si pasojë e dhunës.

Adelina Berisha, menaxhere e programit për dhunën mbi bazë gjinore në RrGK, ka thënë se Suzana Zogiani-Sekiraqa ka qenë për vite të tëra viktimë e dhunës e tashmë të ndjerit ish-bashkëshortit të saj dhe se veprën e ka kryer për t’u vetëmbrojtur.

“Asnjë njeri në botë nuk e arsyeton vrasjen, por edhe në sistemin juridik dallon një vepër kur kryhet në vetmbrojtje nga një vepër që kryhet me planifikim dhe strategji prapa, siç janë iks raste që i kemi pasur në Kosovë”.

Ajo ka marrë si shembull rastin e Pjetër Ndrecajt, i cili me planifikim ka shkuar te shtëpia e prindërve të bashkëshortes dhe e ka vrarë atë dhe vajzën e tyre. “Siç e dimë Ndrecajt iu zvogëlua dënimi, gjë që nuk ka ndodhur në rastin e zonjës Suzana. Nëse i krahasojmë, dënimi i zonjës Suzana është më i rëndë se sa i Ndrecajt”, – ka thënë Berisha.

Suzana nuk do ta ndalë betejën në kërkim të drejtësisë.

Rasti i saj tani është në duar të Gjykatës Supreme, e cila pritet të vendosë lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, me të cilën mbrojtja ka kërkuar anulimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Nëpërmjet mjetit të jashtëzakonshëm juridik, mbrojtja pretendon se aktgjykimet e atakuara janë të përfshira me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të Ligjit penal.

Në pritje të vendimit të  Supremes, Suzana e kalon kohën në burg duke pikturuar. Kryesisht lule. Ajo mban shpresa se dita e bashkimit me fëmijët nuk do të jetë shumë e largët.