Transmetuar më 05-11-2020, 14:49

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews Albania, Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit foli për arrestimin e të atit.

Ajo tregoi e prekur se dita e djeshme kishte lënë një shije të hidhur te gjithë pjesëtarët e familjes dhe tregoi se si gjithçka ndodhi shumë shpejt.

Gresa Krasniqi tregoi se zhurma shqetësuese vini nga oborri i shtëpisë kur ajo ka dalë dhe ka parë se si forca të armatosura të EULEX-it kërkonin z. Krasniqit.

“Pyetja ime ka qenë, a posedoni ndonjë dokument ose mandat të Gjykatës Speciale me anë të së cilës ata kanë të drejtë të futen fillimisht në pronë private dhe më pas në shtëpi e të marrin babin. Nuk kemi marrë përgjigje, vazhdimisht e kërkonin babin,” – tha ajo teksa sqaroi se edhe pse operacioni ka zgjatur diku te 10 orë kanë qenë tetë orë që familjarët e Krasniqit kanë qëndruar në izolim të plotë nga njëri-tjetri.

Gresa Krasniqi tregoi se të atin e kishin marrë në pyetje edhe pse ai kishte zgjedhur të qëndronte në heshtje, ndërkohë që zyrtarë të armatosur të EULEX-it kontrollonin shtëpinë për dokumente të luftës dhe pjesës tjetër të familjes i janë mohuar edhe të drejtat më bazike.

“Edhe për të shkuar në tualet duhet të kërkonim leje prej drejtueses së operacionit,” – tha Krasniqi.

Ajo pohoi sërish se aktakuzat për të atin ende nuk janë bërë të ditura dhe tha gjithashtu se kanë pasur mundësi komunikimi me Jakup Krasniqin.

Ndër të tjera ajo e cilësoi gjendjen si shumë shqetësuese dhe nënvizoi se e gjithë ngjarja ka qenë aq sa e papritur aq dhe aspak dinjitoze.

“Gjykata mbase dhe do të bëhej edhe pa miratimin në Parlamentin e Kosovës, megjithatë ish bashkëpartiakët e babit, ish bashkëluftëtarët e babit, ish të burgosurit politik dhe miqtë e tij me të cilët një herë e një kohë i ka ndarë një fije shumë e hollë mes jetës dhe vdekjes, asnjëherë nuk do të duhet të pranonin të ishin arsyeja dhe shkaktari përse sot çlirimtarët e Kosovës gjenden të rrethuar mes katër mureve,” – përfundoi Gresa Krasniqi.