Pash Zotin, a na thoni si i doni të jenë këta deputetët tanë?
Transmetuar më 02-11-2020, 21:23

Nga Mentor Kikia

Gerta Loku, e njohur  publikisht për një fjalim prekës në parlament tre vite më parë, gjatë një seance të hapur, do të kandidojë për deputete, mesaduket nën logon e një partie ende të pazyrtarizuar. Lajmi i bërë publik nga vetë gruaja, shkaktoi një reagim jo aprovues, në shumicën e rasteve.

Nuk munguan komenet e tipit:

Po dhitë ku do i lësh moj? Po kur u bëre dhe ti moj? Ja tani do të ndryshojë parlamenti me ty deputete. Edhe ti mashtruese si këto të tjerët je…

Kishte pafund opinione të kësaj natyre. Në fakt, unë nuk joshem fare nga himnizimet mediatike, të tipit:  “La Italinë për fshatin”, “Me diplomë “La Sapienza”, ruan dhitë”, etj etj. Sepse nuk mahnitem shumë ata që vijnë me një diplomë apo çertifikatë trajnimi nga jashtë, dhe para emrit të tyre vendosin emrin e shkollës ku kanë qenë.

Por përtej kësaj, ajo që më bën pështypje eshtë qëndrimi i shumë shqiptarëve kundër çdo kujt që merr kurajë për të bërë diçka.

Po mirë o popull, po ju pyes unë juve tani:

Si e doni ju të jetë një deputet? Të mbajë era dhi, jo, sepse ju prish aromën e parfumit.

Të jetë njeri i thjeshtë sërish, jo, sepse do të thoni: Kush është ky, nga na doli ky?

Te jetë nga fshati, do të thoni: Ja u bë edhe ky katunari të bëhet deputet?

Te jetë emigrat, do të thoni: Po ik ose pastro ndonjë kanal andej, di ti ça bëhet në Shqipëri?

Të jetë i pasur do të thoni: Akoma do, mos u ngopsh.

Të jetë i varfër, do të thoni: Shko mor bythëgrisur, ti s’ke brekë për vete do të rregullosh Shqipërinë.

Të jetë profesor, do të thoni: Po kush i jep votë këtij more, ku s’ka kokërr leku.

Të jetë njeri publik, do të thoni: Ky prapë? Po vetëm këta syrretër do të shikojmë ne?

Te jetë i panjohur do të thoni: Po ku merr vota ky mo, kush e njeh këtë.

Ju mund të mos jeni dakord me Gretën për arsye programi të partisë së saj, por jo sepse ajo punon ne fermë.

Po si nuk lexova dikë të thotë: Pa prisni njëherë, ta dëgjojmë çfarë mendon dhe çfarë ideshë ka?

Nëse nuk u jepni dot krahë të rinjve, mbani këtë parlament që kemi, për të cilin gjithashtu nuk lini fjalë pa sharë e pa akuzuar.

Vërtet prej atyre askush nuk ruan dhi, por ata i kanë dhi Shqipërisë në kokë me kohë.