Transmetuar më 02-11-2020, 11:54

Tanke T-72 do të mbërrijnë nga Rusia në Serbi, konfirmoi ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç.

“Tridhjetë tanke moderne T-72 duhet të arrijnë si pjesë e marrëveshjes Vuçiç-Putin, të arritur në Soçi. Ato do t’i forcojnë ndjeshëm aftësitë tona ushtarake”, tha Stefanoviç për mediat në Beograd.

Ai po ashtu tha se, në të ardhmen, do të punohet për pajisjen e njësive speciale dhe të zbulimit. Mediat kanë raportuar se tanket e para nga donacioni rus kanë arritur në Serbi më 28 tetor, raporton REL.

Donacioni është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka arritur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në vitin 2016. Marrëveshja më pas është miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Donacioni përfshin edhe gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbulimi BRDM-2. /NOA/