Transmetuar më 31-10-2020, 16:57

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e pranishme sot në Devoll, ka shpërndarë kartën e anëtarësisë së LSI-së, një prej të cilave shkoi për ish-kreun e Partisë Socialiste në këtë zonë, Shkëlqim Cane.

Kryemadhi shprehet se edhe vetë ka qenë pjesë e PS-së, kurse shton se kur dikush sheh se shtëpia e tij po vidhet, zgjedh tjetër banesë, për të qenë më mirë.

“Ju mirëpres të gjithëve të bashkohemi, jo vetëm për të forcuar të majtën, por sepse kështu mund të ndërtojmë Shqipërinë ku devollinjtë, korçarët, të majtët dhe të djathtët, ata të qendrës dhe ata pa parti, të ndihen si në shtëpinë e tyre, me punësim dhe ekonomi”, tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi më tej nga Korça tha se LSI e hapur për çdo njeri, të kthejmë të rinjtë në Shqipëri e të zhvillojmë vendin

Në fjalën e saj me të rinjtë dhe të rejat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Korçë, deklaroi se partia që ajo drejton, është e hapur për këdo që dëshiron të ndryshojë realitetin e Shqipërisë.

Kryemadhi theksoi se LSI dëshiron kthimin e të rejave dhe të rinjve që kanë ikur nga Shqipëria, për ta bërë vendin tonë më të mirë e të begatë.

“Sot LSI nuk ka më mure, nuk ka kufi. LSI është pa kufi, është e të rinjve dhe të rejave. LSI është e kujtdo njeriu që do të ndryshojë këtë varfëri dhe realitet. Ne jemi me qytetarët dhe gjithë banorët e Korçës, me hallet e tyre të përditshme”, – tha ajo.

“Ne iu japim prioritet absolut të rinjve, por edhe shtresave të tjera të shoqërisë. Në LSI janë anëtarësuar profesorë, njerëz që kanë dhënë kontribut në shoqëri, që mund ta bëjnë më të mirë realitetin. Korça është qytet i bukur, por realiteti i përditshëm e bën jetesën e vështirë”, tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi nënvizoi se Korça është një qytet i bukur, por se ka problematika të shumta sociale, që duhet të marrin fund.

“Fëmijëve tanë nuk iu ofrohet infrastruktura, nuk iu ofrohet puna, nuk iu ofrohet shpresa. Ne duam Shqipërinë me demokraci dhe fjalë të lirë, duam Shqipëri me punësim dhe paga të mira. Ta bëjmë Shqipërinë shtëpi të shqiptarëve.  Të kthejmë të rinjtë në vendin tonë. Zoti bekoftë shqiptarët kudo që janë”, deklaroi Monika Kryemadhi sot nga Korça.

/NOA.al