Transmetuar më 31-10-2020, 15:31

Të paktën 27 njerëz mbetën të vrarë në Turqi dhe Greqi pasi një tërmet i fuqishëm me madhësi 7 shkalla Rihter goditi Detin Egje të Premten pasdite, duke rrënuar ndërtesat, që u shembën dhe shkaktuan atë që autoritetet e kanë quajtur "mini-cunam".

Ditën e djeshme, në ishullit e Samos-it në Greqi, shumë pranë epiqendrës, humbën jetën dy adoleshentë.

Si pasojë e lëkundjeve të fuqishme sizmike, që shkaktuan dëmtim të banesave mbeti i plagosur edhe një 14-vjeçar shqiptar nga Fieri.

I mituri Eriko Mane, teksa gjendet i shtruar në spitalin e fëmijëve në Athinë, u shpreh:

“Ju falënderoj shumë që po më dërgoni mesazhe, edhe po kërkoni zgjidhje për mua. Faleminderit shumë dhe gjithçka do shkojë mirë”.

Ai u dërgua me helikopter drejt Athinës, si një ndër të plagosurit më rëndë në ishullin grek. Pas ndihmës mjekësore, 14-vjeçari u operua në këmbë dhe gjendja e tij shëndetësore aktualisht është e mirë dhe mjekët thonë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mane u vizitua edhe nga ambasadorja shqiptare, Luela Hajdaraga.

Lidhur me tërmetin, deri tani zyrtarët thanë se 25 njerëz u vranë në zonat bregdetare në perëndim të Turqisë, ndërsa dy adoleshentët – një djalë dhe një vajzë – vdiqën në ishullin grek të Samos pasi u shemb një mur mbi ta.

Në Turqi, të paktën 20 ndërtesa vetëm në qytetin e Izmirit u shkatërruan, tha Kryetari i Bashkisë Tunc Soyer për CNN Turk. Imazhet treguan automjete të zëna nën ndërtesa dhe njerëz që gërmonin nëpër rrënoja në kërkim të të mbijetuarve.

Të paktën 804 njerëz janë plagosur në Turqi, tha agjencia e katastrofave. Dhjetëra u shpëtuan nga ekipet e shpëtimit, duke përdorur fadroma dhe helikopterë që kërkuan të mbijetuarit.

Një total prej 470 pas tronditjesh janë regjistruar, 35 prej të cilave ishin me madhësi 4.0, shtoi agjencia. Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë në tetë ndërtesa, ndërsa operacionet kanë përfunduar në nëntë ndërtesa të tjera, – tha agjencia e katastrofave.

/NOA.al