Transmetuar më 31-10-2020, 12:41

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar pamjet e para nga spitali Covid 3. Ajo thekson se ky spital ka të gjitha pajisjet e nevojshme dhe standardet për trajtimin e të sëmurëve me Covid-19.

Sipas Manastirliut, që prej fillimit të pandemisë nuk është ndërprerë për asnjë moment trajnimin e personelit infermieror, që do të shërbejë në spitalet Covid.

"Siç e kishim thënë, pas plotësimit të vendeve në spitalet Covid-1 dhe Covid-2, kemi hapur Spitalin Covid-3, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, – shkruan Manastirliu në një shënim në Fb. – Covid-3 ka të gjitha pajisjet e nevojshme dhe standardet për trajtimin e të sëmurëve me Covid-19, ndërkohë që drejtohet nga një ekip i kualifikuar dhe me shumë eksperiencë mjekësh, të spitalit infektiv dhe të strukturave tona të shërbimit shëndetësor".

Sipas saj, që nga fillimi i pandemisë, "nuk e kemi ndërprerë për asnjë moment trainimin e personelit infermieror, që do të shërbejë në spitalet tona Covid. Të sëmurëve në Covid-3 do u shërbejë gjithashtu një ekip infermierësh të trajnuar dhe me eksperiencën e përftuar duke u shërbyer pacientëve gjatë periudhës së pandemisë". /NOA/