Transmetuar më 31-10-2020, 08:56

Një konflikt mes dy shtetasve në Shkodër për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00, kur Policia e Shkodrës, ka marrë një telefonatë se në fshatin Vrakë, në ambientet e një lokali po ndodhte një konflikt.

Falë reagimit në kohë, policia ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që do kishte pasoja të rënda për jetën, pasi shtetasi K. K., 20 vjeç, ka tentuar të vrasë për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin J. P., 37 vjeç, banues në Shkodër, duke e qëlluar një herë me armë zjarri pistoletë, por pa i shkaktuar dëmtime trupore.

Mbërritja në kohë e shërbimeve bëri të mundur parandalimin e mëtejshëm të konfliktit, ndërkohë që 20-vjeçari, sapo ka parë policinë është larguar me shpejtësi, por është kapur gjatë ndjekjes. Shërbimet e Policisë bënë të mundur edhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit pistoletë me silenciator, të cilën autori e hodhi në rrugë gjatë ndjekjes së Policisë, si dhe automjetin me të cilin ai tentoi të largohej.

Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A. P. 45 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi birre në shishe pa pullë fiskale, një tavoline pokeri, dy pako letra bixhozi dhe një pako çipsa për lojë pokeri.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë edhe shtetasin J. P., 37 vjeç, për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara“, pasi kishte në pronësi tavolinën e pokerit që u gjet në lokalin e 45-vjeçarit. /NOA/