Transmetuar më 30-10-2020, 22:36

Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se do ta ngrejë edhe një herë popullin shqiptar, por kjo do të ndodhë, sipas tij, në kohën e duhur.

Presidenti në “Zonë e Lirë” ka pohuar se ka një strategji për këtë, për të cilën ka vite që nuk fle gjumë.

“Mos e provokoni popullin shqiptar. I ngre unë dhe vetëm një herë, do ti ngre atëherë kur duhet. Atë ditë që do të jetë dita e fundit. E kam me shpirt unë, me strategji. Kam vite që nuk fle gjumë. Tani po vjen momenti final dhe askush nuk mund t thotë nesër se presidenti nuk na tha”, – u shpreh Meta.

“Këtu institucionet kanë rënë, shteti është kapur dhe është koha të ngrihet populli. Çdo gjë në kohën e duhur! Është beteja e parë që fillon rivendosja e rendit kushtetues në Shqipëri” – theksoi kreu i shtetit.

Më tej Presidenti nuk kurseu akuzat e ashpra ndaj kryeminsitrit. Ai e konsideroi atë të marrë peng, prej 20 vitesh nga një grup kundër interesave të Shqipërisë, gjë që e dëshmoi edhe me vendimin e djeshëm në Kuvend të Kodit Zgjedhor, ndonëse aleatët perëndimorë i bënë thirrje për konsensus dhe për respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit.

“Ç’kërkon Ilir Meta, të bëhet mbret apo të bjerë dëshmor”.

Këtë deklaratë të kryeministrit Edi Rama dje në parlament, Ilir Meta e shikon si mesazh kërcënues nga kreu i qeverisë, ndërsa gjen edhe kush fshihet pas.

“Është një kërcënim që ai ë bën për llogari të armiqve të Shqipërisë që janë të shqetësuar se po ua prish, çmontoj të gjitha planet, nga kapja totale e reformë në drejtësi nga lojërat me kufijtë e Kosovës, këtu ka një pengesë që do ta ketë deri në fund. E kam për kënaqësi të bie dëshmor” tha Meta te Zonë e Lirë.

I irrituar, Presidenti e cilësoi kryeministrin “qen bir qeni”.

“Një luan nuk trembet nga një lepur. Lepuri është zënë në çark dhe është marrë peng. Del e thotë jam krenar për babanë tim. Për çfarë është krenar ai, që Kristaqi ka varur Havzi Nelën”.

“Pse çfarë e kishte të atin ai qen bir qeni? Ai është një këlysh blloku që ka të bëjë me një President nga Skrapari, e para. E dyta, ta dëgjojë ai dhe shqiptarët, po i them sot mos guxo të provokosh trazira në Shqipëri siç ke bërë për këto vite për llogari të Sorosit dhe për llogari të miqve të t’u serbë”.

“Nuk ke të bësh me Ilir Metën, por me 10 mln shqiptarë, prandaj nuk del në studio ai. Çuni Kristaqit që u thotë shqiptarëve në parlament që jam krenar për babain tim. Pse partizan e kishte babain ai. Babai i tij ishte 10 vjeç kur mbaroi lufta” – ishte përgjigja e Metës për deklaratat e Edi Ramës.

I pyetur nëse duhet të jetë lideri i opozitës, kreu i Shtetit thotë se sot është lideri i Shqipërisë për të rikthyer vendin në shinat kushtetuese.

“Nuk me interesojnë partitë. Është 10 fishuar populli i 2 marsit. S’dal dot në rrugë se njerëzit më thonë shpërndaje Parlamentin. Unë jam lideri i Shqipërisë sot. Mua më qëlloi kjo detyrë”, tha Meta.

/NOA.al