Transmetuar më 30-10-2020, 18:51

Sot Ministria e Shëndetësisë raportoi se 3 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Teksa u raportuan shifrat zyrtare të 24 orëve të fundit, sot pati edhe një shifër rekord të infektuarish, 319.

Por lidhur me shifrat gazetari Erjon Skëndaj, i cili e ka ndjekur nga afër situatën në spitalin Infektiv që nga fillimi i pandemisë, ka bërë një deklaratë të fortë.

Ai është shprehur se shifrat që dha sot ministria e Shëndetësisë janë ato të djeshme. Ai tha se sot nga ora 13:30 deri në 15:00 janë transportuar 5 trupa të pajetë nga spitali Infektiv, për në morgun e QSUT.

Gazetari pretendoi se janë shënuar 5 viktima në 1 orë e 30 minuta, ndërsa raportimi i ministrisë tregon që në 24 orët e fundit janë 3 viktima nga COVID-19.

Megjithatë, mbetet e paqartë, lidhur me burimin që iu referua gazetari, nëse pesë personat që ndërruan sot jetë ishin të prekur me Covid-19, apo vuanin nga sëmundje të tjera.

Nuk dihet nëse po ashtu do të ketë një reagim të Ministrisë së Shëndetësisë për këtë pretendim publik të gazetarit.