Transmetuar më 30-10-2020, 18:17

Oerd Bylykbashi thotë se, opozita do të ndjekë strategji dhe taktikë elektorale për të marrë sa më shumë vota në zgjedhje dhe t’i përkthejë ato në mandate, por thekson se, nuk do të jetë sistemi zgjedhor që do të bëjë diferencën më 25 prill.

“Do të jenë vendime që i merr opozita e bashkuar për të gjetur mënyrën për të marrë sa më shumë vota dhe këto të kthen në mandate”, deklaroi ish-deputeti i PD-së për Euronews.

Për praninë e partive të reja në kampin opozitar dhe rrezikun për fragmentarizmin e votave, z. Bylykbashi tha se, Shqipëria ka një ligj liberal për partitë politike që ka nevojë për përmirësim, por që në thelb është një vlerë për demokracinë.

“Ajo që ne luftojmë është objektivi i madh që kemi të largojmë Edi Ramën nga pushteti”, tha ai duke shmangur kështu sulmet ndaj ish-funksionarëve të PD-së që tashmë kanë formuar partitë të reja politike.

Për çështjen e përzgjedhjes së kandidatëve, z. Bylykbashi pranoi që mund të jenë bërë dhe gabime por ka ende kohë tha ai për të “ndrequr” këtë me vendimin përfundimtar nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar.

Bylykbashi duke bërë një parashikim për atë që do të ndodhë pas 25 prillit, theksoi se vendi ka nevojë t’i rikthehet normalitetit, duke u shprehur i gatshëm për të bërë kompromis politik me Ramën në rast nevoje.

“Pas zgjedhjeve të 25 prillit përveç reformave dhe goditjes së korrupsionit, Shqipëria duhet të hyjë në një holli normaliteti. Asgjë që është e turbullt nuk ndihmon në integrimin e vendit. Do të jemi qeveria që do t’i qëndrojmë ndarjes së pushteteve, ligjeve, mirëqeverisjes dhe Kushtetutës. Do të bëjmë kompromis politik po qe e nevojshme por qeverisje me Edi Ramën jo”, përfundoi ai.